Shembja e dheut ka bllokuar të enjten njërën korsi të rrugës që shpie në fshatrat shqiptare të Komunës së Zveqanit.
Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës, në mungesë të intervenimit të organeve kompetente të komunës së cilës i takojnë këto fshatra, është detyruar të intervenoj Komuna e Mitrovicës, duke ju dal në ndihmë banorëve të këtyre fshatrave për lirimin e rrugës.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, i cili menjëherë pas marrjes së informatës ka angazhuar kompaninë “Eurondërtimi”, e cila brenda disa orëve ka arritur të liroj rrugën.
“Dheu ka rrëshqitur në dy lokacione të ndara, nga vendi i quajtur “Kërshi i Dudës” deri tek rruga që shpie në fshatrat shqiptare të Zveqanit, Kelmend, Boletin dhe Zhazhë. Mirëpo pas angazhimit të kompanisë, rruga është zhbllokuar në orët e pasdites”, ka thënë Dragaj.