Zogaj: Mosrritja e pagave në sektorin publik, veprim i guximshëm i Mustafës

Alban Zogaj, ligjërues në Kolegjin Riinvest, i ftuar në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka folur për 100 ditëshin e qeverisë Mustafa në aspektin ekonomik.
Ai u shpreh optimist për punën e kësaj qeverie duke thënë se ka trashëguar një vit të vështirë.
“Ekonomia jonë në përgjithësi dhe situata shoqërore ka kaluar një vit të vështirë, pra vitin 2014, dhe kështu edhe viti 2015 ka ardhur me probleme, me rënie drastike të investimeve. Brenda këtyre 100 ditëve, qeveria e Kosovës, përveç problemeve të para që i pat me greva e shumë gjëra tjera, u mundua të punojë. Qeveria shihet se e ka prioritet ekonominë, nisur nga premtimi për faljen e borxheve. Pastaj vazhduan me reformën fiskale, dhe së voni pamë disa tentime që të bisedohet me investitorë të jashtëm dhe të përmirësohet mjedisi biznesor”, ka thënë Zogaj.
Për sa i përket deklaratës së kryeministrit Isa Mustafa se nuk do të ketë rritje të pagave, Zogaj ka thënë se ky ishte një veprim i guximshëm, veprim i cili u konfirmua edhe nga raporti i FMN-së.
“Ishte veprim i guximshëm deklarata e kryeministrit Mustafa që tregoi se nuk do të ketë rritje të pagave. U pa se ishte veprim i duhur edhe nga raporti i FMN-së, i cili e përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës”, theksoi më tej Zogaj, transmeton Koha.net.
Ai tha se sindikatat kanë të drejtë proteste për të drejtën e tyre legjitime për rritje pagash.
“Por, grevistët e arsimit kërkojnë që t’u rritet paga atyre e t’u zvogëlohet atyre, për shembull, të shëndetësisë. Pra, rrisim një sektor, ulim një sektor tjetër”, tha Zogaj, ndërsa theksoi se pagat e sektorit publik në Kosovë nuk janë të vogla në krahasim me rajonin.

Ai tha se sektori privat nuk është më atraktiv për punëkërkues, dhe kjo për arsye se pagat në sektorin publik janë më të kënaqshme se ato të sektorit privat.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT