Zhbllokimi i kufirit, momente kur Policia i obligon serbët t’i mbulojnë simbolet në targa

Pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak janë rihapur për automjete. Saktësisht në orën 8 të mëngjesit të sotëm etiketat e para të bardha me ngjitës i mbuluan simbolet e të dyja vendeve në targa, siç palët u dakorduan javën e kaluar në Bruksel.

Marrëveshja e nënshkruar të enjten hyri në fuqi sot, dy javë pas bllokadave në rrugë që pamundësonin qarkullimin e automjeteve drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Sipas pikës 2 të marrëveshjes, nga sot në orën 8:00 është paraparë vendosja e etiketave ngjitëse mbi simbolet e njëra-tjetrës në targat e automjeteve, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme për këtë çështje.

Vetura e parë që kaloi nëpër pikëkalimin kufitar në Jarinjë nga drejtimi i Serbisë dhe hyri në Kosovë mbante targa të Rashkës, ndërsa vetura e parë që hyri në Serbi nga Kosova ishte nga Rahoveci. Në të njëjtën kohë, një veturë me targa Krushevacit hyri në Kosovë. Ndërkaq, trafiku u normalizua edhe në Bërnjak.Vonesa nuk ka as në pikëkalimin kufitar në Merdare. Procedura e ngjitjes së etiketave mbi simbole është relativisht e shpejtë.

Në të njëjtën kohë, zbatimi i kësaj pike nga marrëveshja e Brukselit filloi edhe në pikëkalimet e tjera kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT