Zëvendëskryeministri Shala takoi përfaqësuesen e KE-së, Garcia Fidalgo

Në takimin që u zhvillua sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ndërmjet zëvendëskryeministrit Kujtim Shala dhe znj. Marta Garcia Fidalgo, u bisedua për punën dhe angazhimet e Komitetit Drejtues Institucional me theks, Strategjia dhe Plani i Veprimit për integrimin e komunitetit RAE që jetojnë në Kosovë.
Këshilltarja e lartë e Komisionit Evropian për të drejtat e këtij komuniteti, znj. Fidalgo, u interesua për planet dhe objektivat që ka Komisioni Drejtues dhe institucionet qendrore e lokale në tërësi në Kosovë për komunitetin RAE. Ngase, sipas saj, ky është një prej prioriteteve të KE-së. Edhe në raport me Kosovën, ajo kërkoi që çështja e të drejtave dhe integrimit të këtij komuniteti të jetë i tillë. Ajo shprehu interesimin për intensifikimin e bashkëpunimit, sidomos në kultivimin e dialogut dhe diversitetit kulturor.
Garcia Fidalgo theksoi se institucioni që përfaqëson është i gatshëm që të kontribuojë dhe ndihmojë në avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes KE-së dhe institucioneve të Kosovës, e në veçanti atyre që merren me të drejtat e komunitetit RAE.
Zëvendëskryeministri Shala i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë znj. Fidalgo dhe e njoftoi për punën e KDI-së në tërësi si dhe koordinimin me institucionet tjera në drejtim të përkrahjes dhe integrimit të këtij komuniteti në jetën institucionale dhe shtetërore të Kosovës. Në kuadër të punës, ai përmendi se do të përpilohet një strategji e plan veprimi i cili realisht do të prek dhe zgjidh problemet e këtij komuniteti që jeton e vepron në Kosovë, duke e përfshirë në komunikim drejtpërdrejt këtë komunitet si palën më të rëndësishme.
Po ashtu, Shala, e njoftoi përfaqësuesen e KE-së se në MKRS është një divizion i veçantë i cili punon për promovimin e diversitetit kulturor, ku kryesisht realizohet mbështetja e projekteve të ndryshme të komuniteteve në promovimin e kulturës së tyre.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Shala e falënderoi për gatishmërinë për bashkëpunim, dhe u shpreh i gatshëm në thellimin e tij, në funksion të realizimit e objektivave që ka Komisioni Evropian në Kosovë.
Në takim, mes tjerash u dakordua për harmonizimin e angazhimeve të përbashkëta në hartimin e planit të ri të veprimit dhe agjendën e përbashkët dhe këto dokumente strategjike të finalizohen deri në fund të vitit.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT