Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në raportimin para komisionit parlamentar ka thënë se angazhimi i 200 profesionistëve do të shpërndahet në tërë Kosovën sipas nevojës.

“Te pozitat konkurruese, qeveria ka lejuar angazhimin e 200 profesionistëve, që së paku ta kemi një shpërndarje sipas nevojave emergjente, janë të specifikuara në konkursin publik”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se Ministria që drejton ka komunikim intenziv me komunat e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Bashkëpunimi me komunat jemi në komunikim intenziv me ta, kemi raportime ditore prej shtabeve të emergjencave nëpër komuna”, ka thënë Zemaj.

Ndërkaq sa i përket anulimit të fluturimeve Zemaj ka thënë që kompanitë ajrore nuk duhet të bëjnë keqpërdorime dhe të shesin bileta deri në vendimin tjetër për lejimin e fluturimeve.

“Ne si Ministri nuk kemi të bëjmë me çështjen e fluturimeve, por derisa nuk ka një njoftim për ndryshim të vendimit për lejimin e fluturimeve shitja e biletave të mos bëhet dhe të mos keqpërdoret mërgata”, ka thënë ministri./Express/