Zëdhënësja e Gjykatës Speciale: Gjithçka është gati, po presim që Prokuroria t’i ngrejë aktakuzat

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Gjykata është plotësisht e angazhuar në ekzekutimin e mandatit të saj dhe do ta vazhdojë punën pa marrë parasysh zhvillimet e jashtme. Sipas saj, Dhomat e Specializuara tashmë janë tërësisht funksionale, porse Prokuroria Speciale duhet t’i ngrejë aktakuzat

Dhomat e Specializuara janë plotësisht të fokusuara në ekzekutimin e mandatit të tyre dhe do ta vazhdojnë punën pa marrë parasysh zhvillimet e jashtme. Kështu ka deklaruar Avis Benes, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, duke mos i komentuar akuzat e fundit të presidentit Hashim Thaçi ndaj kësaj Gjykate.

Ajo ka konfirmuar për gazetën se Dhomat e Specializuara tashmë janë tërësisht funksionale, por Prokuroria Speciale duhet t’i ngrejë aktakuzat.

“Që nga 5 korriku i këtij viti, kur ka hyrë në fuqi Rregullorja e Procedurës dhe Provave, Dhomat e Specializuara janë tërësisht funksionale, pra Dhomat e Specializuara janë në gjendje t’i pranojnë dhe t’i procedojnë dosjet gjyqësore, siç janë ato që lidhen me akuzat e aktakuzat. Megjithatë është e detyrueshme që Prokuroria Speciale të ngrejë akuza”, ka pohuar Benes.

Zëdhënësja Benes megjithatë thotë se nuk mund të spekulohet mbi kohën se kur do të ngrihen aktakuzat e para, pasi që kjo është në dorën e Prokurorisë Speciale.