Zbulohet rroga që merrte Rrahmani me Drenicën, sa shumë distancë me atë te Napoli

Transferimi i Amir Rrahmanit te Napoli është padyshim lajmi më i mirë që futbolli shqiptar ka marrë këtë merkato janari.

Ish mbrojtësi i Partizanit dhe kombëtares shqiptare firmosi për 5 sezone me nënkampionët e Seria A, me të cilët do të bashkohet në verën e këtij viti. Një hap golapant, ku natyrisht ka edhe të mira materiale për Rrahmanin.

25-vjeçari do të përfitojë 1.8 milionë euro në sezon. Shifër e konsiderueshme dhe tepër e lartë në krahasim me atë që merrte te ekipi i parë në karrierë, Drenica. Trajneri i parë i tij, Tahir Lushtaku ka zbuluar se Rrahmani paguhej vetëm 250 euro.

“Kur Amiri erdhi te Drenica, ai fillimisht kishte rrogë minimale. Në gjashtë muajt e parë, Amiri paguhej me 250 euro. Më pas në 12 muajt e fundit, paga e tij ka qenë diku rreth 400 ose 500 euro”, tha Lushtaku.

Rrahmani ishte pjesë e Drenicës deri në edicionin 2013/14. Ai më pas u transferua te Partizani, për të vazhduar te RNK Split, Dinamo Zagreb, Verona e në verë te Napoli.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT