Së fundmi YouTube ka vendosur të shtojë mbështetjen për videot 360 gradë, duke e bërë platformën e videove të përshtatshme dhe për ata përdorues që zotërojnë një pajisje të realitetit virtual. Google deklaroi se kjo karakteristikë do të vijë në javët në vazhdim. Tanimë janë të disponueshme disa video të tilla por të tjera priten të shtohen.
Një video 360 gradë do të thotë se përdoruesi mund të shohë rreth e qark skenës kur artisti është duke luajtur apo të shohë të gjithë mjedisin ku po luhet një ndeshje sportive, duke e bërë shikimin e videove më interesante dhe interaktive. Dhe nëqoftëse përdoruesi ka një pajisje të realitetit virtual, ai mjafton të lëvizë kokën për të parë videon në kënd 360 gradë. Këto video janë të disponueshme për tu parë në aplikacionin Android të YouTube dhe në uebfaqen YouTube.com. YouTube deklaroi se është duke punuar të sjellë të njëjtën eksperiencë në pajisjet iOS dhe në platforma të tjera më vonë gjatë këtij viti.
Tani për tani numri i këtyre videove është i vogël, por ai është parashikuar të rritet tani që kamerat 360 gradë do fillojnë të shiten në treg. Disa prej kamerave 360 gradë mund të përmendim Giroptic, 360cam, Bublcam, dhe Ricoh’s Theta. Google tha se është duke punuar që videot 360 gradë të regjistrohen normalisht dhe në kamerat si IC Real Tech dhe Kodak SP360. Videot e regjistruara përmes këtyre kamerave duhet të kalojnë nëpër një proçes të vecantë ngarkimi ndërsa YouTube po punon që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe video të tilla të identifikohen automatikisht.
Ofrimi i videove 360 gradë është përpjekja e fundit e YouTube në zgjerimin e mënyrës se si përdoruesit ndërveprojnë me videot. Muajin e kaluar YouTube filloi të testojë ndryshimin e këndit të kamerës gjatë regjistrimit të videove por kjo gjë kërkonte ngarkimin e disa klipeve në kënde të ndryshme dhe kombinimim e tyre brenda të njëjtit interval kohor. Videot 360 gradë synohen të aplikohen më shumë në aktivitetet sportive se sa në sallat e koncerteve. Google po përpiqet të aplikojë këtë gjë dhe në Street View në mënyrë që përdoruesit të shohin video 360 gradë gjatë navigimit në Google Maps. (PC World Albanian)
- Advertisement -