Xhevahire Izmaku ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe funksionet e Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmi e ka bërë të ditur vetë Izmaku përmes një postimi në ‘Facebook’.

Izmaku ka thënë se pas 20 vitesh po largohet nga PDK, pasi që nuk beson në projektin dhe vizionin e PDK-së dhe se kontributi i saj i mëtutjeshëm aty, nuk do të ishte i sinqertë.

“Me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se SOT jap dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe funksionet e PDK-së. Vendimi për t’u larguar nga shtëpia të cilën edhe vet e kam ndërtuar, nuk ishte aspak i lehtë, por rrugët tona ndahen këtu sepse unë më tutje nuk besoj në projektin dhe vizionin e PDK-së dhe kontributi im i mëtutjeshëm aty, nuk do të ishte i sinqertë. Votuesve të PDK-së dhe mbështetësve të mi, ju përkulem dhe falënderohem përjetësisht, me dëshirën që të takohemi sërish në rrethana më të mira”, ka shkruar Izmaku në profilin e saj në Facebook.

Shkrimi i plotë:

Të nderuar anëtarë e votues të PDK-së!

Të dashur anëtarë të PDK-së dega në Vushtrri!

Sot më duhet ta shkruaj statusin ma të padëshiruar në jetën time politike prej 20 vitesh!

Unë po jap dorëheqjen dhe po largohem nga PDK, duke nisur nga:
• Dorëheqje nga pozita e anëtares se Këshillit Drejtues;
• Nënkryetares sē degës së PDK-së në Vushtrri dhe përfundimisht nga të qenurit-
• Anëtare e PDK-së!

Të nderuar miq, përkrahës dhe qytetar,

Siç e dini shumica prej jush, unë jam rritur dhe edukuar duke respektuar e çmuar vlerat njerëzore.

Jam brumosur në frymën e atdhedashurisë andaj pas përfundimit të luftës tonë të lavdishme, jam rreshtuar me burrat dhe gratë më të mira të vendit për krijimin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kam besuar dhe kontribuar me dashurinë dhe sinqeritetin më të madh në projektin e PDK-së që nga themelimi, njëjtë sikurse në shtëpinë e babës tim Adem. Njëzet e një vite rrugëtim të përbashkët, ngritje e rënie bashkë me PDK-ne dhe njerëzit më të mirë të saj.
Përgjatë rrugëtimit tim 20 vjeçar me PDK-në, kam mësuar se të qenit në një parti të madhe, përveç privilegj është edhe sfidë, si në kuptimin konceptual, poashtu dhe përmbajtësorë.

Në kuptimin konceptual, PDK-ja për mua ishte shtëpi e formimit politik, në të cilën u brumosa me tiparet politike të njerëzve që, sakrificën e tyre për lirinë e vendit e transformuan në sfidë për ndërtimin e shtetit.

Nisa si zëdhënëse e Komunës së Vushtrrisë, asambleiste e PDK-së, nënkryetare e komunës, pastaj deputete në tri mandate.

Gjithë ky rrugëtimi i imi, Kosovës, Vushtrrisë dhe votuesëve të mi, i ka sjellë shumë dobi e projekte në të mirë të përgjithshme.

Shpesh herë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë politik edhe jeta ime dhe e familjes time është vënë në rrezik, por asnjëherë dhe askush nuk ka arritur ta zbeh qëllimin tim madhor, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe votuesëve të mi.
Jam krenare me secilin veprim timin politik dhe këtë krenari do ta mbaj deri në frymën time të fundit.

Me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se SOT jap dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe funksionet e PDK-së. Vendimi për t’u larguar nga shtëpia të cilën edhe vet e kam ndërtuar, nuk ishte aspak i lehtë, por rrugët tona ndahen këtu sepse unë më tutje nuk besoj në projektin dhe vizionin e PDK-së dhe kontributi im i mëtutjeshëm aty, nuk do të ishte i sinqertë.

Votuesëve të PDK-së dhe mbështetësve të mi, ju përkulem dhe falënderohem përjetësisht, me dëshirën që të takohemi sërish në rrethana më të mira.

Me nderime;
Xhevahire IZMAKU