Xhaka për UEFA.com: Nuk mund ta merrni me mend sesa i lumtur jam!

 

Bazeli ka shanset e veta për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Kampionëve pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë me portugezët e Portos. Në rast se një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë kjo skuadër do të shkruante një faqe të lavdishme të futbollit zviceran, ku natyrisht pjesë do të jenë edhe Shkëlzen Gashi me Taulant Xhakën.
“E kam parë gjithnjë në televizion ose e luaja në videolojë Champions-in kur isha më i vogël, por tani jam pjesë e këtij kompeticioni dhe nuk mund ta merrni me mend sesa i lumtur jam. Pikërisht këto emocione më motivojnë më shumë”, ka thënë Xhaka në një prononcim për faqen zyrtare të UEFA-s.
Lojtari i Kombëtares shqiptare ka qenë një ndër më të mirët në fushë për Bazelin në ndeshjen e Champions-it për këtë edicion. “Synimi ynë aktual është që të mundim Porton dhe të shkojmë në çerekfinale, duke shkruar kështu historinë e klubit tonë. Presioni? Sigurisht që ka, por në rastin tonë është pozitiv. E dimë që duhet të japim 200 për qind për t’ia dalë. Porto ka lojtarë të shpejtë.Sidomos në sulm janë shumë të fortë dhe me kualitet. Ndaj ne duhet të bëjmë shumë kujdes që, në radhë të parë, të mbrohemi mirë”, vijon Xhaka.
Më tej, Taulant Xhaka tregon për rolin e tij në fushë, duke theksuar se nuk e ka problem të luajë në dy-tre pozicione. “Luaj në dy-tre pozicione. Trajneri vendos në fillim se ku të më aktivizojë dhe unë mundohem që të përshtatem sa më mirë që të jetë e mundur. E pranoj gjithashtu se jam një nga liderët e skuadrës, duke qenë se ka shumë kohë që luaj te Bazeli. Jam dhënë vetëm një sezon në huazim dhe më pas u ktheva, duke marrë një pozicion lidershipi në skuadër. Kur luaj, për mua është shumë e rëndësishme që ta nxjerr topin nga zona ime dhe të jap pasimin e parë për startin e aksioneve”, përfundon Xhaka.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT