Xavi Hernández vazhdon të shkruajë historinë. Nëse do të aktivizohet ne sfidën e fundjavës me Eibarin në stadiumin “Ipurua” do të arrijë shifrën e 750 ndeshjeve zyrtare me ekipin e parë të Barcelonës. Për më shumë se 20 vjet këtë rekord e mbante Migueli me 549 ndeshje me fanellën blaugrana.
“Kam patur fatin të jem pjesë e klubit më të mirë në botë. Jam shumë krenar për 17 vite karrierë tek ekipi i parë i Barcelonës. Në fakt janë thuasje 25 vjet që kur nisa të luaja futboll në akademinë e këtij klubi të madh.”
34-vjecari ishte shumë pranë largimit nga blaugranat gjatë merkatos së verës, por në fund pas një bisede që pati me Luis Enriquen, vendosi të qëndronte.
“Jam shumë i lumtur që nuk u largova verën e kaluar, sepse mu dha mundësia të luajë këtu duke qenë i dobishëm për skuadrën”.
Për më shumë se një dekadë, Xavi ka qenë truri i mesfushës së Barcelonës që u bazua në një stil loje që sipas spanjollit nuk duhet të ndryshojë.
“Besoj se nuk do të kemi sukses nëse ndryshojmë këtë stil lojë që ka aktualisht Barcelona, sepse ky stil është në ADN-në e Barcës. Mendoj së në këtë vit po bëjmë mirë duke qenë kompetitivë në cdo kompeticion.”/SS