Wisner: Kërcënimet e Beogradit shqetësuese, politika e tyre për keqardhje

Po vazhdojnë reagimet ndërkombëtare kundër vendimit të Beogradit për moslejimin e vizitës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Serbi.

Ambasadori Frank Wisner, i cili ka qenë edhe kryenegociatori i Departamentit të Shtetit në negociatat e Vjenës, ka dhënë një deklaratë të zgjeruar për KosovaPress, ku ka dënuar sjelljet e Beogradit si një “shembull fatkeq i një mundësie të humbur në avancimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Ambasadori Frank Wisner ka thënë se qeveria serbe ka cituar një vendim të vitit 1997 nga regjimi i Millosheviçit, duke e kërcënuar Thaçin me arrest. “Kjo lloj politike është për keqardhje. Këso lloj deklarata serbe vetëm sa do ta ndezin opinionin publik në Kosovë.

Ky refuzim serb është në kundërshti të qartë me mënyrën se si Kosova ka organizuar mirëseardhje në vizitat e presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë”, ka deklaruar Wisner.

Për personat si unë që kanë punuar për pajtim në rajon, ka shtuar Wisner, vendimi i Serbisë është shumë fatkeq. “Nëse dy popujt dëshirojnë të arrijnë normalizim të marrëdhënieve të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, çdo mundësi duhet të përdoret që të përmirësohet komunikimi dhe të adresohen çështjet e dekadave të dhimbshme të së kaluarës. Kërcënimet me arrestime për njerëzit e paqes janë të gabueshme dhe kundërproduktive”, përfundon ambasadori Wisner.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT