Vushtrri, 43 biznese të vogla mbështeten me grante nga Qeveria gjermane dhe Komuna (Foto)

Gjithsejtë 43 ndërmarrës të bizneseve të vogla dhe të mesme nga Vushtrria, sot kanë përfituar përkrahje direkte  nga projekti i përbashkët i HELP-it gjerman, që është bashkë financuar me rreth 100 mijë Euro nga Qeveria gjermane dhe Komuna e Vushtrrisë, raporton portali Veriu.info.

Sekretarja e parë në ambasadën gjermane në Prishtinë, Henirette Kotter, me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të kontratave me përfituesit, tha se Qeveria gjermane është e lumtur që ky projekt i përbashkët me komunat në përkrahje të bizneseve të vogla dhe të mesme, ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e ndërmarrjeve dhe zhvillimin ekonomik deri më tani në disa komuna, e që i tillë pritet të jetë edhe në Vushtrri.

Nga ana tjetër duke falënderuar qeverinë gjermane për mbështetjen me këtë projekt shumë të qëlluar, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, ka kërkuar nga bizneset përfituese që të punojnë që ky investim të jetë projekt i qëlluar, i qëndrueshëm dhe që pajisjet që përfitojnë nga ky donacion të përdoren për zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre.

Mulaku tha se në Strategjinë për zhvillimin ekonomik, komuna ka për synim mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, prandaj shtoi se se “kjo përvojë shumë e mirë e mbështetjes së bizneseve do të vazhdoj edhe në të ardhmen, ku komuna do të rris fondet për grante direkte për bizneset vushtrriase”.

Ndërsa Shqipe Breznica, koordinatore e  projektit të HELP-it në Kosovë, tha se në konkurrencën prej 200 aplikacioneve, komisioni ka përzgjedhur idetë më të mira. Ajo bëri të ditur se pas nënshkrimit të kontratave, HELP-i do të hap tender për blerjen e pajisjeve të kërkuara nga bizneset e më pas do të filloj edhe shpërndarje e pajisjeve. Arta Haxhaj, drejtoreshë e drejtorisë për zhvillim ekonomik, bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Vushtrrisë, uroj që ky të jetë vetëm fillimi i suksesit për ndërmarrjet përfituese.

Në mesin e ideve që janë përkrahur nga ky projekt kryesisht janë bizneset që merren me bujqësi, zejtari, por ka edhe shërbime këshillimore profesionale. /Veriu.info/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT