Vuk Drashkoviq: Kosova është shtet

Kryetari i Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes (SPO), Vuk Drashkoviq, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, u pëlqeu kjo serbëve apo jo.

I pyetur nga revista javore “Ekspres” nëse ai angazhohet për njohjen e Kosovës nga Serbia, Drashkoviqi ka thënë se pavarësinë e Kosovës e njeh shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së dhe të OKB-së dhe shtoi se ai “e respekton atë realitet”, për të cilin tha se nuk ka faj ai, por ka faj Slobodan Milosheviqi.

“Kosova është e pavarur, Kosova është shtet, u pëlqeu kjo apo jo autistëve serbë. Nuk ka aspak faj timin në këtë të vërtetë, përveç fajit që jam fajtor se nuk e mohoj të vërtetën”, tha Drashkoviqi, përcjell sot Koha Ditore.

Drashkoviqi me partinë e tij në zgjedhjet e fundit ka qenë pjesë e listës së përbashkët me Partinë Përparimtare Serbe të kryeministrit Aleksandar Vuçiqiq dhe si fitues të zgjedhjeve pritet që edhe SPO dhe Drashkoviqi të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme serbe.

Në intervistë Drashkoviqi tha se që nga viti 2012 e ka përkrahur Vuçiqin për shkak të përcaktimit të tij strategjik se integrimet evropiane janë e vetmja rrugë e arsyeshme drejt së ardhmes për Serbinë.

Në intervistë Drashkoviqi po ashtu u angazhua që Serbia të marrë shembull nga Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore, të dënojë politikën e krimit të disfatës dhe të mos e arsyetojë krimin me asgjë. Ai shtoi edhe se politika e re serbe duhet të refuzojë gjithçka që i relativizon apo mohon krimet e regjimit të Milosheviqit përmes krimeve që tjerët i kanë kryer ndaj serbëve, si dhe që “të gjitha armiqësitë që i ka prodhuar ai regjim t’i kthejë në miqësi”.

I pyetur nëse kjo nënkupton që Serbia duhet të krijojë raport miqësor edhe me SHBA-në dhe NATO-n të cilat e kanë bombarduar në vitin 1999, Drashkoviqi u përgjigj me po.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT