Vuçiq: Kosova nuk mund të menaxhoj me hidrocentralin e Ujmanit

Vendimi për hapjen e kapitullit në bisedimet me BE-në nuk i takon Serbisë, por partnerëve evropianë, ka deklaruar kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kjo nuk ka të bëjë me reformat, por në raportet me Prishtinën”, ka thënë Vuçiq në konferencën e përbashkët për gazetarë me shefin e diplomacisë gjermane, Frank Walter- Steinmeier.

“Bëhet fjalë për disa çështje nga marrëveshja e Brukselit, siç është rasti me Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe disa tjera që janë jashtë marrëveshjes së Brukselit. Do të japim gjithçka nga vetja, duke ruajtur interesat tona nacionale dhe shtetërore dhe të arrijmë marrëveshje atje ku mundemi”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Vuçiq ka theksuar se ekzistojnë tema për të cilat nuk mund as të bisedohet, kurse njëra nga ato është menaxhimi 100 për qind i hidrocentralit të Ujmanit (Gazivodës) nga Kosova.

“Askush mbi këtë tokë nuk do të më shtyjë ta bëjë atë. Nëse dikush dëshiron marrëveshje, atëherë duhet ta tregoj këtë, kurse vendimi i mbetet BE-së”, ka thënë kryeministri serb.

Tutje ai tha se Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe se në dialog me Prishtinën dëshiron vendosjen e marrëdhënieve racionale dhe të arsyeshme, por që ato të mos jenë pengesë dhe kërcënim për askënd në Ballkan.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT