Vritet efektivi i RENEA-s në Lazarat, 15 të dyshuar në kërkim

Një efektiv i forcave speciale të RENEA-s humbi jetën në fshatin e Lazaratit, ndërsa dy efektivë të tjerë janë plagosur. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Gjirokastrës.
Sipas njoftimit të policisë, efektivi i RENEA-s u qëllua me plumb në kokë nga një prej banesave të fshatit Lazarat. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA ishin në aksion për kapjen e personave që qëlluan në mesnatë, në qendër të fshatit.
Incidenti i rëndë vjen një vit pas superaksionit antikanabis, të ndërmarrë nga Policia e Shtetit. Për herë të parë policia ndërhyri në fshatin famëkeq, të njohur për kultivimin e kanabisit duke bërë të mundur çrrënjosjen e bimëve narkotike.
FNSH dhe policia tentuan ditën e sotme të hynin në brendësi të fshatit, por u sulmuan nga disa banorë me armë zjarri të rënda si, automatik dhe snajper. Ndërkohë që, janë mobilizuar FNSH-ja e Fierit dhe e Tiranës, forcat speciale dhe operacione, të cilat janë nisur drejt fshatit të Gjirokastrës.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mbërriti në Gjirokastër për të parë nga afër situatën në fshatin e Lazaratit. Në një deklaratë për mediat nga Policia e Gjirokastrës, Tahiri e cilësoi vrasjen e efektivit dhe plagosjen e dy të tjerëve si akt terrorist. Ai theksoi së përgjegjësit e krimit do të kapen dhe do të dënohen.

“Ishte një akt terrorist. Uroj shërim të shpejt për dy efektivët e tjerë, që ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Janë momente të vështira për Policinë e Shtetit, por kam besim se solidariteti i çdo shqiptari shkon për punonjësit e policë, që po vënë jetën në rrezik. Të gjitha ata që qëlluan me armë ndaj policisë në këtë akt terrorist, do marrin përgjigjen e duhur. Do bëjmë gjithçka për të garantuar pushtetin ligjor në çdo centimetër katror të Shqipërisë. Ia detyrojmë çdo familjeje shqiptare. Nuk do tolerojmë që kriminelë të tillë të shkaktojnë të tilla situata dhe ligji do godasë. Rëndësi ka që të gjithë ata që, kanë qëlluar do marrin përgjigjen e duhur ligjore”, u shpreh Tahiri.

Gjithashtu ministri Tahiri bëri një thirrje për banorët e Lazaratit dhe politikën shqiptare, duke i kërkuar që të mbështesin policinë dhe mos të vihen kundër saj.

“ I bëj thirrje banorëve sërish këtë vit, të solidarizohen dhe të ndihmojnë policinë. Besojmë se banorët e ndershëm janë krah për krah me policisë. I bëj thirrje politikës dhe përfaqësuesve të politikë në Gjirokastër dhe në Tiranë, mos të përdorin gjuhë me dy kuptime, por të dënojnë këtë akt terrorist dhe të rreshtohen në krah me Policinë e Shtetit”, deklaroi Tahiri.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT