Një histori sentimentale duket se është bërë sebepi i ngjarjes me dy viktima në Korçë. Gramoz Nako dhe kunati i tij Serefedin Zenellari mësohet të jenë konfliktuar për një histori intime, pasi dyshonte se Gramoz Nako kishte krijuar lidhje me ish-bashkëshorten e Serefedin Zenellarit.

Sipas burimeve nga policia e Korçës, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pikërisht për motive sentimentale dhe jo për grabitjen e 13 mijë eurove. Burime pranë grupit hetimor thanë për “Shqiptarja.com” se njëri nga viktimat, Serefedin Zenellari, kishte disa vite që ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij në Korçë.

Mirëpo, edhe pas divorcit, ai dyshonte se ish-gruaja kishte krijuar një raport intim me kunatin e tij, Gramoz Nako, gjë e cila ka sjellë irritimin e Serefedin Zenellarit.

Mes këtij të fundit dhe Nakos gjatë dy ditëve më parë është zhvilluar një takim në një nga kafenetë e Korçës dhe më pas palët janë ndarë. Por në mbrëmje Zenellari ka shkuar në banesën e kunatit të tij, Gramoz Nako dhe e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kryerjes së krimit, Zenellari është larguar në drejtim të banesës së tij në Korçë, ku ka pritur deri në mëngjesin e ditës tjetër. Kujtojmë që viktima, Gramoz Nako, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Turqia, ku kishte pushuar me familjen.

Nako jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte baba i dy fëmijëve. Ai ishte kthyer pas disa vitesh në Korçë për të pushuar dhe takuar njerëzit e familjes. Por një zënkë me kunatin e tij ka sjellë konfliktin, që ka përfunduar në vrasje. Vrasja e Gramoz Nakos fillimisht nga prokuroria dhe policia e Korçës është menduar se kishte të bënte me një grabitje të mundshme dhe përgjatë gjithë natës policia e këtij qyteti ka shoqëruar dhe pyetur disa persona, të skeduar si grabitës në Korçë. Por gjatë kqyrjes së trupit të viktimës është konstatuar se ai nuk ka pasur shenja dhune. Edhe në ambjentet e brendshme të banesës, është konstatuar se nuk ka pasur thyerje të sendeve apo situatë rrëmuje.

Çdo gjë ka qënë në vendin e vet. Nisur nga kjo situatë, policia dhe prokuroria e Korçës kanë filluar të ngrenë dyshime se vrasja e Gramoz Nakos mund të jetë kryer mes rrethit familjar. Policia ka kërkuar shoqërimin e disa personave të rrethit familjar, mes të cilëve edhe kunatin e Gramozit, 71-vjeçarin Serefedin Zenellari. Ky i fundit, sapo ka mësuar lajmin se policia kërkonte shoqërimin dhe pyetjen e tij në komisariat, ka vendosur të vrasë veten, brenda në banesën e tij.

Vetëvrasja ka ndodhur në mëngjes. Krimi është kryer me pistoletën, me të cilën Zenellari kishte qëlluar për vdekje kunatin e tij Nako. Ekspertiza balistike ka provuar se e njëjta armë është përdorur edhe në vrasjen e Gramoz Nakos. Kaq ka mjaftuar që për prokurorinë dhe policinë e Korçës të shuhet çdo dyshim mbi autorin e këtij krimi të rëndë, duke u zbardhur e gjithë dinamika e krimit.

Pritet që në ditët në vijim prokuroria e Korçës të kryejë dhe një sërë veprimesh të tjera proceduriale, me qëllim administrimin në dosje të disa ekspertizave dhe më pas çështja me dy të vrarë ka shumë gjasa që të pushohet.