Disa orë pas ngjarjes, Avni Ademaj, i plagosuri në ngjarjen e mbrëmshme në Pejë, është rrëfyer para hetuesve të Policisë së Kosovës për rrethanat se si ai e kishte parë ngjarjen.

Ademaj për momentin është person i dyshuar në ngjarjen ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Astrit Ademaj, dhe Blerand Kadrijaj.Edhe pse dëshmia e tij është dhënë në cilësinë e personit të dyshimtë ajo ofron njërin nga versionet e para të kësja ngjarje.

Sipas avokatit Gëzim Kollçaku, Avni Ademaj nuk ka qenë prezent në kohën kur ka nisur konflikti.

“Ai po thotë se kam dëgju zhurmë, kur ka mbërri aty ka pa breshri armësh mes dy personave, dy revole janë gjetur në vendin e ngjarjes, Klienti ka thënë që ka ndërhy edhe është qëllu edhe ky”, tha avokati Kollçaku deri sa shton se kanë filluar hetimet dhe është bërë edhe propozimi për caktim të paraburgimit nga ana e Prokurorisë së Pejës.Tutje avokati Kollçaku shton edhe se klienti i tij në intervistë ka thënë se nuk ka gjuajtur me armë dhe se i përfshirë në rast ka qenë vetëm vëllai i tij.

“Ka thënë në intervistë se nuk ka shansa ai me qenë i përfshirë apo me gjujtë, s’ka qenë i përfshirë, ai ka deklaru për vëllanë e tij edhe ai tjetri. Të shohim nesër se në çka po bazohet prokurorja sepse nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar as nuk ka pasur dëshmitar okular që me thanë po i kam parë”, tha në fund avokati.

Kollçaku ka përshkruar edhe momentin kur sipas tij është plagosur klienti i tij.

“Klienti im mbahet për momentin në spital pasi është i plagosur në dorë. Ai u ka thënë hetuesve se kur është futur në lokal personi tjetër nga pozicioni ku ka qenë i shtrirë ka qëlluar edhe dy plumba njëri prej të cilëve e ka goditur në krah”, ka thënë Kollçaku.

Astrit Ademaj kandidat i PDK-së për Pejë dhe Blerand Kadrijaj ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçan në zgjedhjet e 2017 mbetën të vrarë nga të shtënat me dy pistoleta.

Ngjarja ende vazhdon të mbetet mister pasi prokuroria nuk ka dalë ende me një version zyrtar për motivet e kësaj ngjarje ndërsa personi i vetëm i paraburgosur deri më tani është personi i plagosur.

Viktimat sipas konfirmimit të Spitalit Rajonal të Pejës ishin pranuar pa shenja jete ndërsa i plagosuri është trajtuar më pas është intervistuar në lidhje me ngjarjen.