Vrasja në Drenas: Pistë e hetimit, telefonatat e Currit

Pesë ditë pas vrasjes së mistershme të ish-luftëtarit të UÇK, Bedri Curri, ende nuk ka asnjë të re rreth autorëve të mundshëm të krimit dhe motiveve që kanë çuar deri tek vrasja. As Policia nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër për vrasjen, përveç një komunikate, një ditë pas vrasjes.

E re nga Policia është vetëm njoftimi se hetuesit policorë me një përkushtim të madh po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm, si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Një pistë e hapur e hetimit

Një pistë e hetimit, siç mëson gazeta, është telefonata që Bedriu ia kishte bërë nënës së tij, nga Fushë Kosova, në orët e paradites së të enjtes, me të cilën e kishte njoftuar se do të kthehej ta vizitonte, pasi që paraprakisht po shkonte në Drenas për një punë.

E askush deri më tani nuk ka dalë të thotë asnjë fjalë nëse Bedriu më të vërtetë kishte shkuar për ta kryer punën që kishte në Drenas e as me kë ishte takuar. Madje në Drenas thonë se Bedriu nuk është parë atë ditë fare atje. Policia, sigurisht për shkak të hetimeve (siç kanë thënë kur janë pyetur se deri ku ka shkuar me hetimet për rastin), nuk ka treguar nëse telefonatat e Bedriut janë dëshmi kryesore që mund të çojë deri tek vrasësi apo vrasësit e ish-luftëtarit të UÇK-së, pasi që, siç thonë në Drenas, “nëse Bedriu i ka thënë nënës së tij se do të shkonte në Drenas për ta kryer një punë e pastaj do të kthehej tek ajo, atëherë në telefonin e tij do të duhej të ishin telefonatat që ka zhvilluar të enjten me njerëzit që ka kontaktuar”.

Në anën tjetër familjen Curri, në Korroticë të Epërme të Drenasit, përveç humbjes së djalit të tyre e kanë “goditur” edhe fjalët që kanë qarkulluar se vrasja e Bedriut ka të bëjë me Gjykatën Speciale, e cila do t’i gjykojë krimet që ka kryer UÇK-ja gjatë luftës. /zeri/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT