Eshref Shemallari, që ka pranuar se ka kryer vrasjen e trefishtë të dielën në Prizren, ka deklaruar në polici se këtë akt e ka bërë në shenjë hakmarrje për rrahjet dhe poshtërimet që ia kanë bërë viktimat e krimit.

Ai ndërkaq ka mohuar që djali i tij, Ejup Shemallari të jetë përzier në këtë punë, pos që ka qenë në shoqërimin e tij në momentin kritik. “Djali nuk ka qëlluar dhe qëndron në arrati për shkaqe sigurie”, ka thënë ai gjatë deklarimit në polici, në praninë edhe të avokatit mbrojtës. Sipas tij edhe djali do të dorëzohet së shpejti.

Gjatë paraditës dorasi është dorëzuar në Stacionin Policor në Prishtinë.

Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi ka thënë për “Zërin” se gjatë deklarimit dorasi ka pranuar se e tëra ka ndodhur për shkak të hakmarrjes, pasi sipas tijviktimat Ferdi Shishko, Haki Thaçi dhe Bilgin Ersoji e kishin rrahur e therë atë dhe e kishin rrahur edhe djalin e tij.

Nënkoloneli Krasniqi, tha se dorasi ka dorëzuar vetëm pistoletën me të cilën ka kryer krimin, ndërsa jo edhe kallashnikovin, të cilin ka deklarar se e ka fshehur në pjesën e “Marashit” në periferi të Prizrenit, por që kjo armë nuk është gjetur aty ku kishte deklaruar se e ka lënë ai, transmeton Zeri.info.

Sipas policisë, Shemallari sot nuk ka dalur edhe para Prokurorit, ndërsa i është caktuar masa fillestare e parabrgimit prej 48 orësh.