Vjosa Osmani flet pas takimit me Abdixhikun, thotë se pret mbështetje nga LDK’ja

Deputetja dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Presidente, Vjosa Osmani ka takuar sot kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetarin Lutfi Haziri. Ajo ka deklaruar se në këtë takim është folur për platformën se si synon ajo ta drejtojë Presidencën, raporton Express

Osmani ka deklaruar se është folur për mënyrën se si do t’i qaset ajo opozitës, nëse e merr postin e Presidentes.

“Ishte një takim shumë i mirë. Kisha mundësinë që ne detaje të flas për platformën presidenciale dhe mënyrën si do t’i qasem opozitës në të ardhmen kryesisht në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, ka thënë Osmani para mediave.

Ajo tha se pret mbështetje nga ish-kolegët e saj në LDK dhe deputetët tjerë në Kuvemd, për ta votuar si Presidente.

“Ishte bashkëpunim shumë kolegial me njerëz që kam bashkëpunuar në këto 20 vitet e fundit. Pasi prezantova platformën, kreu i LDK-së dhe nënkryetari kërkuan që të rikthehen në organet e partisë dhe të diskutojnë në detaje për këto që i diskutuam sot. Pres mbështetje nga ish kolegët e mi dhe të të gjithë deputetëve në parlament”.

Po ashtu, Osmani bëri të ditur se me krerët e LDK’së do të takohet edhe gjatë ditëve në vijim, për të mësuar qëndrimin e tyre përfundimtar rreth çështjes së Presidentit.

“Do të takohemi edhe në ditët në vijim dhe të më njoftojnë për qëndrimin e tyre përfundimtar. Gjithçka shkoi në frymën pozitive. Është evidente që duhet t’i bëjmë përgatitjet shumë shpejt dhe pres që të rikthehemi në takim dhe ta sqarojmë se cili do të jetë qëndrimi i tyre”.

Osmani ka deklaruar se në këtë takim Abdixhiku nuk ka pasur kurrfarë kërkese për deputetët e “Listës Vjosa”.

Ndërkohë, edhe kreu i LDK’së është deklaruar pas takimit me Osmanin.

Abdixhiku ka thënë se takimi ka qenë pozitiv dhe i frytshëm. Po ashtu, ai ka treguar se janë dakorduar që të takohen edhe një herë me Osmanin.

Ai ka thënë se për takimin dhe diskutimet që kanë pasur sot do të diskutojnë edhe në parti, dhe pasi të marrin qëndrimin e partisë dhe pas një takimi tjetër me Vjosa Osmanin do të kenë edhe qëndrimin përfundimtar, nëse do ta përkrahin atë si presidente.

“Në këtë takim kemi diskutuar çështjet me interes rreth krijimit të institucionit të presidentit. Ka qenë takim i frytshëm dhe pozitiv në atmosferë të mirë”, ka thënë Abdixhiku, raporton Express.

“Kemi diskutuar platformën që pretendentja për presidente dëshiron ta ndërtojë. Në këtë platformë kemi dhënë diskutimet tona. S’kemi vërejtje. Kemi diskutuar edhe pozicionin e saj karshi akterëve partiak, kemi avancuar në këtë aspekt. Do të takohemi edhe një here”, ka shtuar tutje Abdixhiku.

“Do t’iu kthehemi organeve të LDK’së për të diskutuar dhe për të pasur një qëndrim përfundimtar”, ka shtuar tutje.

“Kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm dhe për sqarime shtesë. Do të diskutojmë edhe brenda partisë. Në momentin që përfundojnë këto dy procese, do të kemi një qëndrim përfundimtar”, ka thënë Abdixhiku.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT