Me propozim të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti dhe me me dakordim të u.d të Presidentit Vjosa Osmani, Gashit i’u kërkua lirimi i pozitës së kryespiunit. Por, tash pas dy muajsh Osmani dhe Hoti kanë propozime të ndryshme për pozitën e kryespiunit të shtetit.

Janë bërë pak më shumë se dy muaj qysh kur ish-shefit i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Kreshnik Gashi, i’u kërkua lirimi i detyrës pas më shumë se një viti shërbim.

Pavarësisht që kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka propozuar që zëvendësdrejtori i këtij institucioni Latif Merovci, të jetë shefi AKI’së, nga Presidenca nuk është pranuar një propozim i tillë. Shkruan Gazeta Express.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ndryshe nga Hoti ka propozuar një emër tjetër për kryshef të AKI’së. Këshilltari për media i u.d së Presidentit, Bekim Kupina, ka thënë për Express se për momentin emri i të propozuarit nga Presidenca nuk mund të bëhet publik për shkak të konfidencialitetit.

Ai tha që janë duke pritur që edhe Hoti të pajtohet me propozimin e tyre.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar se ka qenë iniciativë e tij shkarkimi i drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi. U.d. Presidentja Osmani e ka propozuar një emër për shef të AKI-së. Meqë ky proces duhet të mbetet tërësisht konfidencial nuk mund ta bëjmë publik emrin tash për tash. Presim nga Kryeministri që edhe ai të pajtohet me propozimin tonë”, ka thënë Kupina për Express.

Në ndërkohë, këshilltarja për media e kryeministrit në detyrë, Antigona Baxhaku ka thënë për Express, se Osmanit i kanë dërguar propozimin e Qeverisë për shefin e AKI’së.

“Po ne e kemi dorëzuar propozimin e Qeverisë për shef të AKI’së në Presidencë. Më shumë nuk kemi informacione”, ka thënë ajo për Express.

Në nëntor të 2019, Kreshnik Gashi ishte emëruar shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Në krye të Inteligjencës, Gashi erdhi nga pozita e kryetarit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Gashi zuri vendin e Shpend Maxhunit, i cili kishte dhënë dorëheqje. Por, edhe Kreshnik Gashit nuk i zgjati shumë posti i kryespiunit.

Pas 1 viti e 22 ditësh në krye të AKI-së atij, sot, iu kërkua largimi nga detyra. Kërkesa erdhi nga kryeministri Avdullah Hoti, në dakordin me u.d. presidenten, Vjosa Osmani.

Të dy këto institucione, të cilat emërojnë dhe shkarkojnë drejtuesit e AKI-së, nuk patën ndonjë sqarim se pse u kërkua lirimi nga detyra i Gashit.