Labinot Grudës të dyshuarit për rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shteti i është vazhduar masa e paraburgimit prej 1 muaj, shkruan Insajderi.

Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr aktvendim dhe të pandehurit L.G i ka vazhduar masën e paraburgimit prej datës 18 janar 2021 deri me datë 17 mars 2021”, ka deklaruar Gashi për Insajderin.

Zyrtari i Departamentit të Thesarit, Labinot Gruda, ishte arrestuar në tetor të 2020-ës për kryerjen e transaksioneve ilegale. Gruda ka qenë i lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Në të kaluarën, ka qenë drejtor në Komunën e Drenasit gjatë udhëheqjes së Ramiz Lladrovcit. Por, PDK-ja ka mohuar lidhjen e saj me Grudën.

Insajderi në tetor të 2020-ës, përmes një hulumtim ka hedhur dritë mbi një skemë të vjedhjes së shpërndarjes së mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Ishte zbuluar se në këtë vjedhje është përfshirë firma e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, ish-shef i kabinetit të Pal Lekajt, dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Të gjithë këta janë të lidhur me firmën “LDA Group SH.PK. Kësisoj, kjo vjedhje lidhet me firma të njerëzve të fuqishëm të partive politike.

Të premten e 9 tetorit, në ora 12:41, ishin ekzekutuar mbi 2 milionë euro, në mënyrë ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur për vetëm tetë minuta, sipas dosjes së Prokurorisë së Shtetit.