Vijat e kuqe u hoqën, Jashari: S’kanë ekzistuar kurrë, LDK-ja po i vardiset PDK-së

Largimi i vijave të kuqe të LDK-së për PDK-në, ka “ringjallur” përafrimet mes këtyre partive për një koalicion të mundshëm, raporton GazetaBlic.

Sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deri tek ky vendim ka ardhur për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme”, ka thënë pos tjerash Mustafa, për t’i hapur rrugës zgjedhjes së presidentit të vendit.

Nga partia e Kadri Veselit nuk e kanë mohuar mundësinë që t’i bashkohet koalicionit me LDK-në.

Madje, anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti e ka quajtur “deklaratë të mirë heqjen e vijave na i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“Nuk e di çka të them dhe s’mund të konfirmoj asgjë”, ka thënë ai, kur është pyetur sa a ka gjasa që PDK t’i bashkohet koalicionit qeverisës.

“Momenti për t’i hequr ato vijat e kuqe të deklaruara elektorale, mendoj që është mirë që e ka deklaruar atë, por s’ka ndonjë rëndësi për neve”, ka thënë Haliti për GazetaBlic.

E, për njohësin e çështjeve politike, Shemsi Jashari, pretendimet për heqjen e “bllokadës” nuk përbën diçka të re, pasi që sipas tij, nuk ka pasur vija të kuqe mes LDK-së dhe PDK-së.

“Deklarata e Isa Mustafa se i largon “vijat e kuqe” nuk është lajm për publikun, pasi vijat e kuqe asnjëherë nuk kanë ekzistuar mes LDK dhe PDK-së. LDK-ja vijat e kuqe i ka përdorur vetëm në fushata elektorale për të mashtruar elektoratin e saj, pasi të gjitha proceset ka bashkëpunuar me PDK-në. Edhe qeveria e fundit ne krye me Avdullah Hotin është ndërtuar nga Thaçi prandaj është e pasinqertë nga ana e Mustafa për të tentuar të dëshmoj se ka pasur vija të kuqe”, ka thënë ai për GazetaBlic.

Duke i cilësuar si të gabuara mendimet për përfshirje në Qeveri, Jashari ka deklaruar se LDK-ja e ka hallin vetëm tek proceset e vështira, e që sipas tij, kjo ka ndikuar që t’i “vardiset” partisë së Kadri Veselit.

“Unë mendoj se kjo deklaratë është një vardisje publike e LDK-së, ndaj PDK-së asgjë e re. Përfshirja e PDK-së në qeverinë aktuale të drejtuar nga Hoti mendoj se është e gabuar dhe nuk do të duhej të ndodhte. PDK do të duhej të punonte si opozitë deri në zgjedhje dhe të mbështeste projektet e mira për vendin, si dhe të mos lejonte që qeveria të gaboj apo të dëmtoj vendin në raport me bisedimet me Serbinë. LDK-ja e ka hallin tek proceset e vështira që e presin Kosovën rreth punës së Gjykatës Speciale, për të cilën ka kontribuar me shpifje një kohë gjatë, prandaj dëshiron ta përfshij PDK-në, brenda koalicionit për të shpërndarë përgjegjësinë. Vendi duhet të mos vonoj e të shkojë ne zgjedhje për të nxjerrë një qeveri legjitime me bazë të gjerë e me mbështetje popullore”, thotë ai.

Në anën tjetër, pas deklaratës së kreu të LDK-së, Isa Mustafa, kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci ka thënë se është mirë që LDK ka deklaruar se kanë hequr vijat e kuqe për PDK-në, dhe se kjo është më e qartë për ata që kanë besuar në krerët e kësaj partie.

Ajo ka thënë se LDK e dinë që me LVV-në nuk bëhen pazare, dhe se pa këtë parti nuk mund të zgjidhet presidenti.

Ndërkaq, ish-ministrja e Drejtësisë nga po kjo parti, Albulena Haxhiu, e ka parë si përpjekje për t’iu ikur zgjedhjeve deklarimin e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës se kjo parti ka hequr vijat e kuqe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

“Vullneti i shprehur me 6 tetor të vitit të kaluar ishte vijë e qartë e kuqe me politikën e vjetër. Nga poli i PDK-së, LDK tha se po afrohej me VV-në. Dhe kështu mori votat e qytetarëve. Kjo vijë e kuqe e LDK-së u hoq në muajin mars kur rrëzuan qeverinë Kurti dhe tradhtuan votën qytetare. Ajo që tha sot Isa Mustafa është vetëm titulli i një vepre që kishte nisur më herët. Nëse qytetarët kanë vendosur saktësisht ndryshe nga ajo çka paska vendosur LDK, atëherë kjo e fundit përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetarë. Sigurisht, vijat e kuqe gjithnjë janë hequr në emër të ‘interesave madhore’. Këto janë orvatjet për t’i ikur zgjedhjeve në mënyrë që kjo nomenklaturë të mbijetojë edhe ndonjë ditë”, ka thënë Haxhiu./GazetaBlic

- Advertisement -

MË TË FUNDIT