Vetëvendosja: Është për keqardhje keqpërdorimi i emrit të Ukshin Hotit nga i biri i tij, Andini

Është tejet shqetësuese kur plasohet një gënjeshtër publike, e aq më shumë kur e njëjta bëhet duke keqpërdorur emrat e heronjve. Është për keqardhje keqpërdorimi i emrit të Ukshin Hotit nga i biri i tij, Andini, i cili sot deklaroi se Lëvizja VETËVENDOSJE! paska fshirë grafitet “Ku është Ukshin Hoti?” e në vend të tyre paska shkuar grafitet “Drejtësi për Asttritin”. Për këtë ai kishte bashkangjitur fotografi të ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, ku më parë ka qenë një grafit i Ukshin Hotit e që ishte fshirë më pas, pastaj një tjetër për Astrit Deharin e që ishte fshirë po ashtu, dhe së fundi aty gjendet prapë një grafit për Astrit Deharin, të cilin mbase do ta fshijnë prapë.

Andini, i cili është edhe anëtar i PDK-së dhe punon në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, e di mirë që grafitet e shkruara në këtë ndërtesë janë fshirë me urdhëra të kësaj Ministrie, pasi që për mirëmbajtjen (lyerjen) e ndërteses përkujdeset dhe e bënë vetë Ministria.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përveçse e ndjek platformën e Ukshin Hotit, në vazhdimësi ka kërkuar që të zbardhet fati i tij. Kurse Qeveria e Kosovës, as nuk e ndjek rrugën e tij, e për fat të keq nuk ka bërë asnjë hap për zbardhjen e fatit të tij dhe mijëra të zhdukurve gjatë luftës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk i ka fshirë grafitet e Ukshin Hotit, dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjë asnjëherë ndaj asnjë grafiti që kërkon drejtësi, e sidomos për Ukshin Hotin, i cili mbetet njëri nga mendjet më të ndritura shqiptare.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT