Në vitin 2015, Platon Bucolli nga Drenasi pranoi një certifikatë, si invalid i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse ai nuk i takon kësaj kategorie e madje as nuk ishte interesuar për pajisje me këtë certifikatë.

Ai thotë se nuk i përket kësaj kategorie dhe se nuk ka asnjë interes për këtë çështje.

Siç thotë ish-luftëtari i UÇK-së Bucolli, ai deri më tani nuk ka pranuar asnjë pagesë, megjithëse e posedon certifikatën.

“Certifikata e invalidit më ka ardh hiç pa qenë invalid. Nuk kam desht të hy në atë punë që të thonë njerëzit që e ka marrë invalidin pa qenë hiç”, thotë ai.

Ai thotë se e di arsyen, për të cilën ia dorëzuan certifikatën.

“Kam qenë luftëtar i dalluar dhe ma merr mendja që për këtë e kanë pru, mem sistemu në këtë kategorinë, por unë nuk kam qenë i interesuar për këtë”, u shpreh Bucolli.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj po ashtu tha se Bucolli nuk gjendet në regjistrat e Shoqatës.

“Platon Bucolli nuk ekziston në regjistrat e Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së, dhe nuk kemi kurrfarë informacioni dhe asnjë regjistër që ata të cilët nuk kanë shkallë invaliditeti, nuk kemi asnjë informacion sepse nuk janë të regjistruar në Shoqatë”, tha Shurdhaj për Dukagjinin.

Përgjigje në lidhje me këtë është kërkuar edhe Qeveria e Kosovës, në kuadër të të cilit ka funksionuar Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranit dhe Invalidit të Luftës së UÇK-së, por ata nuk kanë dhënë përgjigje.