Vetëm disa shkolla të Prishtinës dhe Drenasit nuk e respektuan vendimin e SBASHK’ut

Thirrjes së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) që të mos mbahet mësimi të hënën, nuk i janë përgjigjur vetëm disa shkolla në Komunën e Prishtinës dhe të Drenasit.

Ushtrues i detyrës së nënkryetarit të SBASHK-ut, Lutfi Mani, tha se në Prishtinë dhe në Drenas është zhvilluar mësimi pjesërisht.

“Mësimi po zhvillohet në dy komuna, në Prishtinë është tu punu pjesërisht apo 50 apo 70 mos të hyjmë në përqindje pasi SBASHK-u dikur më vonë del me komunikatë tjetër, edhe është në Drenas, nuk po them që në komuna tjera është qind për qind, për shkak se kemi individ që munden, por po them që në rast se është mbajt me një klasë edhe aty është mësim një orë dhe nuk mund të cilësohet mësim në qoftë se 90 për qind të mësimdhënësve dhe të nxënësve nuk jonë në shkollë, ajo është ditë e humbur. Nuk jemi duke bërë gara se kush është më i fortë, se kemi ku ta tregojmë. Ne e tregojmë në mësim, e Qeveria në mirëqenie, në punë të popullit”, tha Mani.

Gjatë ditës ekipi i Ekonomisë Online ka qenë tek shkolla fillore “Faik Konica” në kryeqytet, ku zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Blerim Dalipi tha se mësimi është duke u zhvilluar sipas planit.Tutje, Mani tha se kësaj situate nuk i është gëzuar SBASHK-u pasi kjo ka sjellë konfuzitet tek mësimdhënësit dhe te nxënësit.“

“Në bazë të informatave që kemi prej mëngjesit e deri para se me ardhë këtu, prej 18 komunave që kemi informacionet, vetëm në dy është t’u zhvillu mësimi pjesërisht, dmth aty ka një laramani ku shkojnë, ka edhe te që janë te mbajt mësimin por jo edhe me staf të plotë por me staf të përgjysmuar, për arsyeje se unë s’besoj që këtë situatë e do as Qeveria e as SBASHK-u, për arsyeje se ka ardhë te një diçka që në kalendarin mësimor është ditë pushimi, dhe të premten kur janë lëshu nxënësit të gjithë mësimdhënësit i kanë lajmëru nxënësit që të hënën nuk ka mësim si gjithmonë po flasim në praktikat tona deri tash çka ndodhë tash e tutje gjithmonë festat janë mbajt në qoftë se ka ra gjatë shtunës ose dielës”

“Meqenëse të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit janë njoftu, në kalendar nuk ka ndryshu asgjë, mundeni me pa në kalendar të MASH-t që është ditë pushimi dhe SBASHK-u e ka lëshu komunikatën që normal edhe i ka uru mësimdhënësit për ditën e flamurit, dhe u ka thënë që dita e hënë është pushim. Ma vonë në mbrëmje ka dal një komunikatë e kryeministrit të Kosovës është ditë mësimi, që m’u solidarizu me mantel bardhët. Arsimi jo që është solidarizu me policinë dhe shëndetësinë, por arsimi ka bërë barabartë me ta, ne s’jemi mjekë me shku m’i kontrollu pacientët, por i kemi kontrollu të gjithë nxënësit, dmth nxënësit në shkolla kontrollohen nga mësimdhënësit e kanë marr edhe atë detyrë që duhet të jetë teknik medicinal ose staf mjekësor”, tha Mani.

Kjo sindikatë thotë se nuk kanë pranuar njoftim me kohë nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës për vendimin që e hëna të jetë ditë pune dhe jo pushim.

“Unë s’kam parë një komunikatë, mund të më ketë ikë ajo se njerëz jemi dhe kam pasë rast tjetër që s’kam qenë në Kosovë. S’kom pa komunikatë nga Ministria e Arsimit në ditën e premte që mësimi të mbahet të hënën, nuk e di nëse ju si mjete të informimit keni qenë në konferencë te ministrisë dhe ku u thanë që mësimi mbahet. Prandaj në Kosovë janë të ndara resurset, e SBASHK-u e ka partner Ministrinë e Arsimit jo që Qeverinë nuk kemi marrëdhënie të mira, por halka jonë është që fillimisht shkojmë te MASHT-i më pas te Qeveria. Kjo ka qenë kërkesë e mësimdhënësve, nuk është diçka që veç dikujt i ka ra ndërmend me lëshu një komunikatë, por kjo është kërkesë mësimdhënësve, unë vet kam qenë me marr nipin tim dhe më kanë thënë që dita e hënë është ditë pushimi. SBASHK-u s’ka tjetër detyrë veç me mbajt korrelacion me mësimdhënësit”, tha ai për EO.

Po ashtu, u.d së nënkryetarit, Mani tha se edhe vendimi që mësimdhënësit e infektuar me Covid të zëvendësohen, nuk po respektohet nga komunat, edhe pse mjetet janë ndarë nga Qeveria për këtë vendim.

“Nuk po respektohet hiç nga komunat, s’po zëvendësohen mësimdhënësit dhe mjetet janë qitë nga Qeveria, atje nuk respektohet, kurse te ata që janë sëmur ende nuk janë marr hapat për t’u zëvendësuar. Në te gjitha komunat po kemi ankesa për këtë. Zëvendësimet po bëhen duke detyruar një mësimdhënës të klasës tjetër ta mbajë mësimin për të dy klasë. Kjo nuk është zëvendësim ajo është veç sa me mbajt klasën mos me bo zhurmë”, tha ai.

Sipas të dhënave të SBASHK-ut mbi 1 mijë mësimdhënës janë infektuar me Covid.