Veseli: Uniformën e UÇK-së e vesha ndër të parët, e hoqa ndër të fundit (Video)

Përmes një video-deklarate të postuar në llogarinë e tij në Facebook, Kadri Veseli, pretendenti për kryetar të PDK-së, ka kërkuar mbështetjen e anëtarësisë dhe votuesve, si dhe ka folur edhe për jetën e tij dhe angazhimin në politikë.

“Si shumica juaj, edhe unë vij nga një familje e thjeshtë dhe e madhe tradicionale kosovare. Jam lindur në Mitrovicë dhe hallet e vuajtjet e popullit tonë të cilat i kam përjetuar si fëmijë, më kanë frymëzuar dhe formuar politikisht”, thotë Veseli.

Ai tregon gjithashtu se mësimet e para të angazhimit për liri e drejtësi i kishte marrë prej dy vëllezërve të tij të cilët u burgosën në vitin 1981 dhe se ndoqi rrugën e tyre sapo arriti moshën madhore.

“Unë kam pasur nderin dhe privilegjin që të jem ndër të parët që ka mbajtur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu më ka takuar që të jem ndër të fundit që jam demobilizuar nga UÇK-ja”, ka thënë Veseli.

Sikurse dihet, Veseli ka qenë pjesë e UÇK-së qysh në fillimet e saj si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe ka drejtuar formacionin G2 për zbulim kundër zbulim. Kjo njësi e UÇK-së, në bashkëpunim të ngushtë me shtetet e NATO-s luajti rol të veçantë në zbulimin dhe përcaktimin e objektivave serbe për sulmet ajrore të NATO-s.

Me përfundimin e luftës, kur prej UÇK-së u formuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, G2 vazhdoi me emrin Shërbimi Informativ i Kosovës, një pjesë tjetër e luftëtarëve u bënë pjesë e Shërbimit Policor të Kosovës, kurse shumica u demobilizuan dhe u rikthyen në jetën civile dhe vazhduan jetën në sfera të tjera.

Duke iu referuar SHIK-ut, Veseli u shpreh se “Ky formacion sikurse Trupat Mbrojtëse të Kosovës u shua pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe i hapi rrugën krijimit të institucioneve të reja të sigurisë së shtetit tonë të ri”. Shërbimi Informativ i Kosovës u shpall i shpërbërë pas pavarësisë dhe Republika e Kosovës krijoi Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ndërsa TMK-ja u shpërbë në 20 janar 2009 dhe në vend të saj u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës. Në këtë video-deklaratë, Veseli më tutje shton se “shpresa dhe dëshira për të kontribuar në mënyrë konkrete edhe më tutje” në të mirën e vendit e ka shtyrë që ta vazhdoj angazhimin politik në kuadër të Partisë Demokratike.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT