Veseli: Majlinda dhe Nora, dy heroina bashkëkohore të Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim xhudistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova

Veseli: Majlinda dhe Nora janë dy heroina bashkëkohore të Kosovës, që me talentin dhe punën e tyre të palodhur e kanë ngritur flamurin tonë në nivelet më të larta të sportit ndërkombëtar.

Kryetari i Kuvendit të Republikës Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim dy xhudistet e njohura, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, të shoqëruara nga trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Duke i uruar për arritjet e mëdha në arenën ndërkombëtare të sportit, kryetari Veseli i konsideroi Majlindën dhe Norën heroina bashkëkohore të Republikës së Kosovës, që me talentin dhe punën e tyre të palodhur, e kanë ngritur flamurin tonë në nivelet më të larta botërore të sportit.

“Ne duhet të krijojmë hapësirën e duhur në mënyrë që të rinjtë tanë mund të përfshihen më shumë në sfera të ndryshme të jetës shoqërore në Kosovë, sepse vetëm ashtu mund të ecë më shpejt përpara vendi ynë”, theksoi kryetari Veseli.

Kreu i Kuvendit shtoi se arritjet e Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës janë dëshmia më e mirë se kur talenti dhe vullneti i sportistëve bashkëdyzohet me përkrahjen institucionale, suksesi është i garantuar. Nisur nga kjo, ai kërkoi nga të gjithë sportistët që të japin maksimumin e tyre, duke ndjekur shembullin e këtyre dy vajzave, përderisa përkrahja institucionale nuk do të mungojë asnjëherë.

Kryetari Veseli tha se Kuvendi është i gatshëm të ndryshojë ligjet, për të cilat konsiderohet se ndihmojnë sportistët në veprimtarinë e tyre dhe avancojnë sportin në përgjithësi.

Xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila gjatë muajit të kaluar fitoi Medaljen e Artë në Kampionatin Evropian të xhudos, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për sportin.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, ndërkaq, u shpreh i kënaqur që sportistët po e zënë vendin e merituar në shoqëri dhe tanimë po respektohen edhe nga politika.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT