Veseli ka një ftesë për partitë opozitare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës u ka drejtuar një letër partive opozitare në Kuvend, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

Ai u kujton se cili do të jetë qëllimi i mbledhjes së nesërme në Kuvend, transmeton Koha.net.

“Sikurse jeni në dijeni, nesër do të kemi një seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës. Në këtë seancë do të ratifikohet Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit e nënshkruar të martën e kaluar në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, u kujton Veseli opozitarëve

Më poshtë, Veseli fton partitë opozitare të marrin pjesë në seancë për të dhënë kontributin e tyre, që sipas Veselit, e kanë dhënë edhe në shumë e shumë raste dhe momente tjera, pasi kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm pozitiv për integrimin e vendit.

“Me besimin e plotë se të gjithë pajtohemi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm pozitiv dhe konkret të vendit tonë në rrugën e integrimeve evropiane, si dhe me besimin e plotë se, përkundër dallimeve politike që kemi, e që janë legjitime në kontekstin e demokracisë, ne të gjithë bashkohemi rreth projektit tonë shtetëror të integrimit në familjen e demokracive evropiane, ju ftoj që nesër të merrni pjesë në seancën kushtuar ratifikimit të MSA-së dhe të jepni kontributin tuaj në ecjen përpara të Republikës së Kosovës, ashtu sikurse e keni dhënë edhe në shumë e shumë raste dhe momente tjera, gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin”, shkruan Veseli.

Ai në fund u bën thirrje deputetëve opozitarë që nesër të jetë një ditë uniteti dhe bashkëpunimi, për të dëshmuar para qytetarëve dhe botës, se interesat madhore të vendit janë në rend të parë.

“Nesër duhet të jetë ditë e unitetit, ditë e bashkëpunimit dhe e veprimit të përbashkët, ditë kur të gjithë ne, që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojmë, para qytetarëve dhe para botës, se në veprimin tonë politik, mbi të gjitha, udhëhiqemi nga interesat madhore të vendit tonë dhe nga vizioni i përbashkët që kemi për të ardhmen e vendit tonë”, potencon Veseli duke përfunduar këtë letër me fjalinë, “Ejani, të bëjmë së bashku historinë tonë”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT