Veseli: Gjakova ka qenë shpirti i ndërmarrësisë dhe duhet të vazhdojë të jetë e tillë

    Në vazhdën e vizitave në kuvendet komunal të Kosovës dhe të takimeve me përfaqësues të sektorit privat, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot Komunën e Gjakovës.
    Kryeparlamentari Veseli u prit në një takim të veçantë nga kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, ndërsa më pas, bashkërisht takuan përfaqësues të bizneseve që veprojnë në Komunën e Gjakovës.
    Kryetari Veseli tha se qëllimi i kësaj vizite është njohja nga afër me zhvillimet në komunë, me theks të veçantë, në fushën e zhvillimit ekonomik. Kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e orientimit të agjendës në drejtim të një parlamentarizmi ekonomik, në funksion të përmirësimit të mjedisit biznesor në Kosovë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kreu i Kuvendit të Kosovës u interesua për sfidat dhe problemet me të cilat përballet Komuna e Gjakovës dhe në veçanti bizneset, gjatë veprimtarinë e tyre afariste.
    “Gjakova ka qenë shpirti i ndërmarrësisë dhe duhet të vazhdojë të jetë e tillë”, u shpreh kryetari Veseli.
    Kryetarja Mimoza Kusari-Lila vlerësoi lart vizitën e kryetarit të Kuvendit në Komunën e Gjakovës, të cilën e konsideroi vizitën e parë të nivelin të lartë shtetëror në ndërtesën komunale, si dhe qasjen e tij proaktive për krijimin e mundësive të nevojshme ligjore që do të lehtësonin afarizmin biznesor në Kosovë. Ajo e informoi kryetarin Veseli me zhvillimet në këtë komunë, veprimet dhe hapat e ndërmarrë, si dhe potencoi një varg sfidash, të cilat, sipas saj, duhen adresuar dhe kërkojnë mbështetje nga niveli qendror qeveritar.
    Gjatë ditës, kryetari Veseli, i shoqëruar nga kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila, zhvilloi një takim me përfaqësues të sektorit privat të Komunës së Gjakovës, nga të cilët kërkoi projekte dhe iniciativa, në funksion të përmirësimit të gjendjes ekonomike në Kosovë.
    Kryetari i Kuvendit tha se nevojiten veprime të përbashkëta konkrete nga institucionet dhe bizneset, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes në Kosovë, tërheqjen e investitorëve të jashtëm dhe rrjedhimisht, hapjen e vendeve të reja të punës për qytetarët e Kosovës. Në funksion të këtyre qëllimeve, z. Veseli garantoi mbështetjen e tij për iniciativat e mundshme ligjore të përfaqësuesve të sektorit privat dhe i nxiti ata që të evidentojnë mangësitë eventuale, si dhe të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim.
    “Zhvillimi ekonomik i vendit është i lidhur ngushtë me forcimin e bizneseve dhe të ekonomisë së lirë të tregut”, tha ndër të tjera kryetari Veseli.
    Përfaqësuesit e sektorit privat, nga ana e tyre, çmuan interesimin e kryetarit Veseli për kushtet në të cilat ata veprojnë me bizneset e tyre dhe njëherësh prezantuan një varg shqetësimesh dhe nevojash. Në mënyrë që veprimtaria e tyre prodhuese dhe afariste të zgjerohet më tej, duke krijuar kushte për hapje të reja të vendeve të punës, ata shtruan nevojën e ndryshimeve ligjore në pakon fiskale, mbështetje për funksionalizimin e Zonës së Lirë Ekonomike të Gjakovës, përmirësimi i kushteve infrastrukturore etj.