Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli gjatë qëndrimit të tij në Panama, pati një takim me Presidentin e Parlamentit Latin-amerikan (PARLATINO), z. Elias Castillo. Z Castillo i shpjegoi Z. Veseli se cila është historia e institucionit që ai drejton dhe cilat janë qëllimet dhe prioritetet që kjo asamble ka në këtë periudhë. Ai theksoi që një ndër prioritetet është pikërisht zgjerimi dhe forcimi i marrëdhënieve ndër parlamentare me pjesë të tjera të botës dhe vizita e Z. Veseli i shërbente më së miri këtij qëllimi.
Z. Veseli i prezantoi drejtuesit të PARLATINO-s arritjet e Kosovës në politikën e brendshme por edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe e ftoi Z. Castillo që të vinte e ta shihte me syte e tij se si Kosova e pavarur është duke konsoliduar demokracinë dhe ekonominë e saj dhe është duke kontribuar në zhvillimin e fqinjësisë së mirë në rajon.
Në bisedën që dy kryekuvendarët patën bashkë, diskutuan mbi mundësinë e zhvillimit të një vizite në Kosovë të një grupi me deputetë të Amerikës Latine duke i kushtuar vëmendje të veçantë atyre që vijnë nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Z. Veseli shpjegoi se një vizitë e tillë do ta bënte më të mirënjohur Kosovën për vendet e Amerikës Latine duke eliminuar paragjykimet dhe keqkuptimet dhe duke bërë që të kuptohet se njohja e pavarësisë së Kosovës i shërben paqes dhe stabilitetit. Z. Castillo e pëlqeu idenë, u angazhua që kjo vizitë të bëhej e mundur dhe shprehu gjithashtu gatishmërinë që ta vizitonte Kosovën personalisht së shpejti.