Veseli: Demarkacioni do të kalojë, e kemi mbështetjen e SHBA’së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur rreth vizitës së zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, gjendjen politike në vend dhe shumë çështje tjera.

Veseli në këtë intervistë është shprehur i bindur dhe i vendosur se marrëveshja për Demarkacionin do të miratohet.

“Kjo marrëveshje do të miratohet më 1 shtator. Deputetët duhet ta dinë qartë se miratimi i demarkacionit i hapë rrugë perspektivës së shtetit, ndërsa alternativa tjetër e qon Kosovën në rrugë të paditur”, shprehet Veseli.

Më poshtë intervista e plotë:

Telegrafi: Si e vlerësoni vizitën e zëvendëspresidentit Amerikan, Joe Biden në Kosovë dhe cilat ishin mesazhet që ai la në Prishtinë?

Veseli: Vizita e zëvendëspresidentit Biden në Kosovë ishte historike. Kjo vizitë konfirmoi marrëdhënien e ngushtë, partneritetin tonë strategjik dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ishte një mundësi nga ana e jonë për të treguar në mënyrë modeste mirënjohjen tonë të madhe ndaj miqve tanë historik. Ne morëm gjithashtu mesazhe të qarta për sa i përket nevojës së Kosovës për të ecur përpara në reformat për konsolidimin e ligjit dhe demokracisë në vend. Ju siguroj se i kemi dëgjuar me shumë vëmendje rekomandimet e miqve tanë dhe do të dëshmojmë përgjegjësi dhe largpamësi duke iniciuar brenda një kohe shumë të shkurtër reforma konkrete dhe intensive në sektorët më të rëndësishëm të shtetit tonë.

Telegrafi: Ju e përcollët zëvendëspresidentin Biden në përfundim të vizitës. A morët ndonjë mesazh konkret për marrëveshjen e demarkacionit e Malin e Zi?

Veseli: Një ndër mesazhet më të qarta dhe më të prera të zëvendëspresidentit Biden lidhet me pritshmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova t’iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare, konkretisht ti përmbahet ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit. Zëvendëspresidenti Biden u shpreh edhe njëherë i drejtpërdrejt për marrëveshjen për demarkacionin si një marrëveshje që ka marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe se pritet përgjegjësi shtetërore nga ana jonë që ta votojmë më 1 shtator. Dhe kjo do të ndodhë pasi miratimi i demarkacionit forcon partneritetin tonë me NATO-n dhe Malin e Zi si shtet fqinj, por edhe me vendet perëndimore. Mos të harrojmë se në favor të kësaj marrëveshje është shprehur drejtpërdrejtë pa asnjë dyshim presidenti Barack Obama, sekretari i shtetit John Kerry gjatë vizitës së tij si dhe Departamenti i Shtetit kur i është kërkuar të jap një mendim. Po ashtu është shprehur shumë herë Ambasadori amerikan Greg Delawie. Pra të gjithë miqtë tanë e kanë verifikuar me ekspertë kompetentë e pastaj i kanë dhënë mbështetje kësaj marrëveshje.

Telegrafi: Pas vizitës së Biden, ju si kryetar i Kuvendit keni dalë me qëndrim të prerë për miratimin e marrëveshjes. A ka ndikuar z. Biden tek ju?

Veseli: Pavarësia e Kosovës është arritur falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së pakursyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht se ne i dëgjojmë rekomandimet e miqve tanë, pasi falë tyre ne vazhdojmë të konsolidojmë shtetësinë dhe të njihemi nga bota demokratike. Shënjimi i kufirit me Malin e Zi është një arritje me rëndësi të jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës, pasi konsolidon integritetin territorial duke u bërë një vend që ka tre nga katër kufijtë e saj të pranuar në mënyrë konsesuale. Nëpërmjet marrëveshjes së demarkimit Kosova konfirmon në sytë e aleatëve se është shtet dinjitoz, i aftë për të hyrë në marrëdhënie miqësore me shtete të tjera dhe që di tu përmbahet obligimeve dhe zotimeve të dhëna para aleatëve. Marrëveshja e demarkacionit është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Prandaj unë bëj thirrje tek të gjithë qytetarët në përgjithësi, dhe deputetët në veçanti, që të mos bien pre e dezinformimit apo manipulimit, por të kenë besim tek Institucionet e Kosovës dhe tek shtetet mike të cilat thonë se marrëveshja e demarkimit përcakton kufij të saktë.

Telegrafi: Tani që kanë mbetur edhe 1 javë para seancës ku pritet të hidhet në votim marrëveshja për Demarkacionin, a i keni votat e mjaftueshme për ta miratuar, pasi disa deputetë të koalicionit tashmë kanë dalë publikisht kundër marrëveshje?

Veseli: Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në vend, i ka dhënë mbështetje të plotë marrëveshjes për demarkacionin dhe deputetët tanë do të votojnë pro marrëveshjes, pasi jemi të bindur se është në të mirë të shtetit të Kosovës. Edhe partnerët e koalicionit qeverisës tashmë kanë konfirmuar se deputetët e koalicionit e mbështesin këtë marrëveshje. Kështu që kjo marrëveshje do të miratohet më 1 shtator. Deputetët duhet ta dinë qartë se miratimi i demarkacionit i hapë rrugë perspektivës së shtetit, ndërsa alternativa tjetër e qon Kosovën në rrugë të paditur. Mesazhet janë të qarta, Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, nga presidenti Obama, zëvendëspresidenti Biden dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Tani të gjithë ne duhet të marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe ta miratojmë demarkacionin.

Telegrafi: Por në anën tjetër kemi opozitën dhe disa qytetarë të Rugovës që pretendojnë se me këtë marrëveshje ne po humbim territor. Këtë e thonë edhe ekspertë të ndryshëm?

Veseli: Kjo marrëveshje nuk ka për qëllim të vendos në vend padrejtësitë historike të popullit shqiptar por thjeshtë të shënjojë kufijtë e përcaktuar më parë ligjërisht. Prandaj ju lutem që mos të keqpërdoren ndjenjat e popullit me plagët tona historike, të heqim dorë nga folklorizmat dhe të sillemi në mënyrë shtetërore duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë e përcaktuara nga Kushtetuta jonë e që janë ato të vitit 1974, me të cilët edhe ka ndërhyrë NATO, është çliruar Kosova, është bërë Pakoja e Ahtisaarit dhe mbi këto dokumente është shpallur pavarësia më 2008.

Telegrafi: Si e vlerësoni gjendjen e politike në vend, pasi gjuha e ashpërsuar ka sjell edhe disa sulme të armatosura mbi Kuvendin e Kosovës dhe institucione tjera publike?

Veseli: Ne nuk duhet të lejojmë kurrësesi që të mbizotërojë gjuha e dhunës por vetëm gjuha e arsyes dhe e dialogut. Politika jonë duhet të karakterizohet nga debati përmbajtësor e duhet të distancohet nga sulmet fizike, gazi lotësjellës, molotovi apo sulme tjera. Ne kemi bërë shumë përpjekje që të largohemi nga politika e dhunës, shantazhit dhe kanosjes së kohës së okupimit dhe kurrësesi nuk do të lejojmë që ato metoda politike të kthehen. Duhet bërë e qartë njëherë e mirë që ne jemi një demokraci ku verdiktin e ka sovrani dhe pushteti mund të merret vetëm nëpërmjet votave të lira e të ndershme. Vullnetin e populllit të shprehur nëpërmjet votës nuk do mund ta ndryshojë askush nëpërmjet tavolinave të fshehta e as nëpërmjet dhunës. Pra atyre përfaqësues së opozitës që mendojnë se mund të vijnë në pushtet nëpërmjet dhunës iu them ta harrojnë! E kam thënë dhe do e përsëris, ne nuk kemi fituar luftën që të humbim paqen.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT