Veseli bën homazhe te vendi i rënies së heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

Sot, në 26-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëri homazhe te vendi i rënies, në Lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë dhe në nderim të veprës së tyre, vendosi buqetë lulesh.

Dy nëntorin e vitit 1989, kryetari Veseli e konsideroi ditë të rëndë për Kosovën dhe lëvizjen ilegale të asaj kohe, ditë kur kjo lëvizje humbi dy nga aktivistët, ideologët dhe organizatorët kryesorë të saj.

“Strukturat e policisë sekrete jugosllave mbuluan Prishtinën, çdo lagje, çdo rrugë për të goditur lëvizjen tonë. Në këto rrethana, ranë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, lajmëtarët e parë të qëndresës kundër shtypjes dhe luftës për liri”, theksoi me këtë rast kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se rënia e tyre krijoi një boshllëk të madh në mesin e lëvizjes, por nuk solli fundin e saj.

Përkundrazi, kjo rënie shërbeu si motiv për forcimin e radhëve të lëvizjes dhe rritjen e urrejtjes kundër pushtuesit.

“Ne u jemi përjetë përulës të gjitha atyre që kanë rënë në altarin e lirisë. Do t’i kujtojmë çdo ditë, si betim dhe përkushtim i yni për punë të vazhdueshme, në funksion të zhvillimit të shtetit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se pikërisht në këtë përvjetor, Kosova bëri një hap historik në rrugën e saj të integrimit evropian, duke ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Pas homazheve, kryetari Veseli vizitoi edhe familjet Zhitia e Fazliu.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarët e dy heronjve, u evokuan kujtime nga periudha e veprimtarisë së përbashkët ilegale të kohës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT