Disa familje kanë mbetur pa strehë në Drenas, pas vërshimeve që kanë ndodhur ditët e fundit në Kosovë.

Njërën nga këto familje e ka strehuar komuna në një hotel, ndërsa familjet e tjera janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Kështu kanë thënë në një përgjigje për lajmi.net në komunën e Drenasit. Ndërsa thonë se komisionet tashmë janë në terren dhe po bëjnë vlerësimin e dëmeve.

“Komisionet që disa ditë janë ne terren dhe po bëjnë vlerësimin e dëmeve. Akoma nuk ka përfunduar ky proces, në mënyrë që të kemi saktë shifrën e dëmeve të shkaktuara në komunën tonë. Sipas vendimit, komisioni pas përfundimit të punës në teren do të hartoj një raport. Një familje që është paraqitur e kemi strehuar në një nga hotelet e qytetit, ndërsa disa tjera janë strehuar tek të afërmit e tyre”, ka thënë Laureta Thaqi, zyrtare për Informim në Drenas.

Po ashtu nga komuna kanë thënë se meqenëse komuna nuk ka mundësi buxhetore për kompensimin e dëmeve, do t’i adresojmë kërkesat për kompensimin e dëmeve në Qeveri.

“Meqenëse si komunë nuk kemi mundësi buxhetore për kompensimin e dëmeve, në do t’i adresojmë kërkesat e tona për kompensimin e dëmeve sipas vlerësimit të komisioneve që janë formuar për vlerësimin e dëmeve në ekonomi familjare, biznese, infrastrukturë e kultura bujqësore”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, komuna sot ka kërkuar nga qytetarët e Drenasit, se deri nesër, me datë 19.01.2021, ora 12:00, të dorëzojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në këtë komunë.