Vendos SBASHK-u nga e mërkura mësimdhënësit në grevë të përgjithshme

Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar do të hyjnë në grevë të përgjithshme që nga dita e mërkurë.

Vendimi për grevën është marr nga Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), të cilët thanë se greva mund të ndërpritet vetëm atëherë kur Qeveria do të dëshmojë se me listat e pagave të muajit prill është përfshirë edhe pagesa prej 0.5 për qind e stazhit të punës për afro 29 mijë të punësuarit e sektorit të arsimit parauniversitar.

Sindikalistët e arsimit kanë thënë se ndihen të fyer dhe të indinjuar me veprimin më të fundit të Qeverisë, e cila ndonëse kishte premtuar se me pagat e prillit do të paguante edhe stazhin për çdo vit të përvojës së punës, duke parandaluar grevat e përgjithshme dhe pa afat, tashti ka bërë kalkulim imagjinare në dëm të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se pavarësisht marrëveshjes së 24 prillit të bërë me Qeverinë që përvoja e punës për të punësuarit në arsim të fillojë së paguari me pagat e muajit prill, dhe kur ishin bërë të gjitha kalkulimet buxhetore për të realizuar këtë nga një komision i përbashkët i SBASHK-ut dhe MASHT-it, Qeveria tani ka lëshuar listat e pagave për vetëm rreth 19.000 të punësuar, nga rreth 29.000 sa janë të punësuar në arsim.

“Ndërkaq edhe për ta, paga bazë është llogaritur të jetë 216 euro e jo 405 euro sa është në realitet për arsimin fillor, dhe 236 euro e jo 445 euro sa është në arsimin e mesëm”, ka thënë Jasharaj, raporton Koha.net.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT