Vendi më i ftohtë në botë/ Kush e zotëron Antarktidën?

Në vitin 1959, Lufta e Ftohtë dhe gara hapësinore, ishin në kulmin e tyre. Në shtator të po atij viti, Bashkimi Sovjetik dërgoi anijen e parë në sipërfaqen e Hënës.

Në tetor, Uashingtoni u trondit sërish, kur një anije kozmike sovjetike fotografoi anën e pasme të Hënës.

Superfuqitë po rivalizonin për epërsi në vendet afër dhe larg tyre. Pjesë e kësaj gare u bë edhe Antarktida. Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia, pretenduan se eksploruesit e tyre kishin qenë të parët që e kishin parë nga afër kontinentin e ngrirë, gjatë ekspeditave në vitin 1820.

Edhe nazistët, synuan të vinin nën kontrollin e tyre Antarktidën në vitin 1939, duke e mbushur akullin me svastikat metalike gjatë një studimi nga ajri. Por në fund të viteve 1950, nisi të të kishte një angazhim të madh të shkencës. Qeveritë e 67 vendeve, i lejuan shkencëtarët e tyre të bashkëpunojnë në një studim të madh të Tokës në vitet 1957-1958.

Prioritetet kryesore, ishin hapësira e jashtme dhe Antarktida. Në rajonin polar 12 vende, përfshirë Australinë dhe SHBA-në, nisën të marrin nën shqyrtim gjithçka. Më 1 dhjetor 1959, u nënshkrua në Uashington nga 12 vende Traktati i Antarktikut. Gjashtëdhjetë vjet më pas, pjesë e traktatit janë 54 vende, dhe nënshkruesja fundit është Sllovenia në prillin e këtij viti.

Po kush e zotëron Antarktidën? Zona të ndryshme të kontinentit, janë pretenduar në periudha të ndryshme nga 7 vende, mes tyre Argjentina, Kili dhe Britania. Të gjitha këto pretendime u pezulluan, në kohën kur hyri në fuqi Traktati i Antarktikut, edhe pse jo të gjitha vendet e njohin atë, mes tyre edhe Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Territori më i madh, zotërohet nga Australia, që ka në Antarditë 3 stacione të përhershme – Mauson, Kejsi dhe Dejvis. Pra, si operojnë vendet në Antarktidë? Ato veprojnë nën sistemin e Traktatit të Antarktikut, i cili ndalon konfliktin mbi pretendimet territoriale, dhe shmangin çdo militarizim të mundëshëm të kontinentit, thotë ish-kreu i Divizionit Australian të Antarktidës, Toni Pres.

Traktati përcakton se personeli shkencor dhe zbulimet e tij, duhet të ndahen midis të gjithë vendeve të pranishme atje. “Fryma e bashkëpunimit, kryesisht është ruajtur”- thekson me tej dr.Pres. Përveç shkencëtarëve, aty ka inxhinierë, mekanikë, kuzhinierë, mjekë etj.

Numri i përgjithshëm i njerëzve në Antarktidë varion nga rreth 4400 në verë, deri në 1100 në dimër. “Shumica e vendeve, veçanërisht në një zonë të gjerë si Antarktika Lindore, mbështetet tek logjistika e të tjerëve”-thotë dr.Pres. Ai shton se Antartida është një zonë e demilitarizuar, ku ndalohen manovrat, konfliktet ushtarake, testimi i armëve bërthamore etj.

Ajo që nuk ndalohet është përdorimi i personelit ushtarak për kërkime shkencore, ose për ndonjë qëllim tjetër paqësor. “Teknologjia satelitore, është sot thelbësore për operacionet dhe studimet në Antarktidë”- shprehet Entoni Bergin, anëtar i Institutit të Politikës Strategjike Australiane (ASPI). “Mjedisi i brendshëm i Antarktidës është optikisht shumë i qartë, dhe i përshtatshëm për studime astronomike dhe hapësinore. Ai është gjithashtu shumë i qetë, dhe me pak ndërhyrje në valët radiofonike”- thekson ai.

Gjatë viteve 2018-2019, inspektimi i vetëm i regjistruar në bazën e të dhënave të Sekretariatit të Traktatit të Antarktikut, ishte nga Argjentina dhe Kili, që u stacionuan në stacionet amerikane, bullgare dhe ukrainase, dhe në një port që drejtohet nga Britania e Madhe.

Ndërkohë, vendet kanë detyrimin të raportojnë se çfarë pajisje dhe personel kanë dërguar në Antarktidë. “Shumica e vendeve raportojnë. Por sesa transparent dhe gjithëpërfshirës është ky raportim, kjo është e diskutueshme”- thotë dr.Pres.

Kur lindi perspektiva e minierave në Antarktidë, udhëheqësi i Malajzisë Mahathir Mohamad kritikoi në vitet 1980 vendet e tjera, duke kërkuar t’i jepet fund të gjitha pretendimeve territoriale, dhe që Antartida të menaxhohet nga një traktat i ri. Malajzia u ftua më pas në takimet në kuadër të traktatit, dhe iu bashkua zyrtarisht atij.

Anëtarët më të rinj janë Mongolia, Kazakistani, Pakistani, Portugalia dhe Islanda, që marrin pjesë në takime, por nuk janë të përfshirë zyrtarisht në marrjen e vendimeve. Kina po ndërton aktualisht stacionin e saj të pestë, duke ngjallur shqetësim për shkeljen e traktatit.
Prania e shumë mineraleve mund të jetë një perspektivë e shkëlqyer për disa vende, sidmos nëse shkrirja e akullit lë akoma më shumë tokë të ekspozuar. Turizmi është gjithashtu në rritje.

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Operatorëve të Turizmit në Antarktidë, rreth 55.000 njerëz vlerësohet të kenë vizituar kontinentin gjatë viteve 2018-2019.

Në sezonin e kaluar, kur pati 51.000 turistë, një e treta e tyre ishin nga Shtetet e Bashkuara, afro 16 për qind ishin nga Kina dhe 11.2 për qind ishin nga Australia. Në Antarditë po praktikohet shumë peshkimi, sidomos nga Norvegjia, Koreja e Jugut dhe Kina, çka ka çuar në grindje me vendet e tjera, kryesisht për shkak të peshkimit të paligjshëm.

Kërcënimi më i madh fizik me të cilin përballet Antarktida, është natyrisht ndryshimi i klimës, i konkretizuar që tani m rritjen e temperaturës së detit, acidifikimin e oqeanit, dhe reduktimin e akullit në det dhe në tokë./Përshatur nga CNA.al

- Advertisement -

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com