Vdes një shqiptar në një aksident në Bronks duke shpëtuar motrën e tij 9 vjeçe

Një veturë që kishte humbur kontrollin ka goditur një turmë fëmijësh dhe familjarët e tyre në Bronks të shtunën mbrëma, duke lënë të vdekur kështu dy të rritur dhe një fëmijë, ndërsa të lënduar kanë mbetur edhe tre të tjerë.

Viktimat e këtij aksidenti janë të gjithë anëtarë të dy familjeve.

I vdekur në këtë rast ka mbetur edhe 24 vjeçari me prejardhje shqiptare, Kristian Lekaj, që me profesion ka qenë shofer kamionësh.

Një mik i tij të ngushtë, që nuk deshi të identifikohej me emër, ka thënë se Lekaj ka qenë duke luajtur me motrën e tij 9 vjeçare në trotuar të rrugës ku ndodhi aksidenti, dhe në momentin kur makina e ka goditur atë, ai e ka shtyrë motrën e tij, Fionën, që ta shpëtonte nga goditja.

Të vdekur nga ky aksident kanë mbetur edhe Luis Perez, 65-vjeç, së bashku me mbesën e tij 9 vjeçe, Nyanna Aquil.

Ndërsa të lënduar janë Greta Lekaj, 21 vjeçe, si dhe mbesa 3 vjeçe e Perezit, Jasmina Aquil.

Të gjithë të lënduarit, sipas New York Post, janë në gjendje kritike për jetën.

Edhe shoferi i veturës që shkaktoi aksidentin, Howard Unger, 57-vjeç, është duke u trajtuar në spitalin në Jacobi.

Policia beson se ai e kishte humbur kontrollin ndaj veturës së tij pasi ka pësuar një sulm në zemër apo ka përjetuar ndonjë problem tjetër shëndetësor.

Dëshmitari Charlie Castagnozzi, që ishte në vend të ngjarjes bashkë me gruan e tij dhe tre fëmijët, kishte dëgjuar një makinë duke përshpejtuar.

“U ktheva mbrapa dhe e pash se si shoferi [i aksidenti] goditi një veturë që e kishte përpara”, thotë ai.

Castagnozzi thotë se më pas vetura kishte goditur një autobus para se të godiste një rrethojë metali e të përfundonte në oborrin e një shtëpie.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT