Vdes ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës

Ka vdekur gjinekologu i njohur kosovar, Sejdullah Hoxha, njëherësh edhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë. Një gjë të tillë e kanë njoftuar familjarët e tij nëpërmjet ‘Facebook’-ut.

“Me dhimbje e pikëllim të thellë lajmërojmë farefisin, miqtë, shokët dhe dashamirët se me datë 06/03/2021 ka ndërruar jetë, bashkëshorti, babai, vëllau dhe gjyshi ynë i dashur dhe i paharruar”, thuhet në njoftim.

“Varrimi i të ndjerit bëhet në rrethin familjar, në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan). Për shkak të pandemisë me virusin Covid 19 nuk mbahet e pamja”, thuhet tutje.

Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, me anë të një statusi në ‘Facebook’.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë muarëm lajmin se ka ndërruar jetë ish deputeti i legjistaturës së parë në Kuvendin e Kosovës, miku dhe bashkëpuntori ynë politik në PDK dhe më vonë në Nisma, Prof. Dr. SEJDULLAH HOXHA! Ngushëllime familjes Hoxha, të gjithë miqëve dhe bashkëpunëtorve profesinal e politik!”, thuhet në postimin e tij.

Hoxha në vitin 1990 ishte zgjedhur kryeshef i Repartit të Lehonave, ndërsa gjatë viteve 1983-2000 punësohet si asistent mësimor për lëndën Gjinekologji-Obstetrikë.

Gjatë viteve 1996-1999 punoi si drejtor i maternitetit “Nënë Tereza” në Prishtinë. Më pas nga 1999 deri më 2005 qëndroi në postin e drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Në vitin 2006 ishte anëtar i bordit të QKUK-së, ndërsa në 2007 ai bëhet u.d. i kryetarit të Bordit të QKUK-së.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT