Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka vdekur në Gjilan ish-asamblistja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arzie Nuhiu.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Vdekjen e saj e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi të dërgohet në Institutin e Mjekësisë ligjore për obduksion.

Rrethanat e këtij rasti akoma nuk dihen, ndërsa për momentin po cilësohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë akoma.

“Sot me 21 korrik 21 rreth orës 03:50 të mëngjesit, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informatën se në rrugën ‘Raif Halimi’, në pjesën e pasme të njërës nga ndërtesat në këtë rrugë është vërejt një trup i personit të gjinisë femërore. Njësitet policore nga stacioni policor i Gjilanit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Më pas nga familjarët është identifikuar se bëhet fjalë për A. N. (1977) femër shtetase e Kosovës, që ishte duke banu në katin e pestë të ndërtesës në këtë rrugë. Dyshimet fillestare janë se e njëjta ka rënë nga ballkoni i banesës së saj ku ishte duke jetuar. Në vendngjarje ka prezantuar shërbimi Emergjent (ndihma e parë ) ku nga mjeku kujdestar i kësaj njësie është konstatuar vdekja. Në vendngjarje ka prezantuar prokurori i shtetit për “Krime të Rënda”, njësitet e hetimeve dhe forenzikës rajonale. Prokurorin i shtetit ka urdhëruar që trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore – Prishtinë. Rrethanat dhe motivet se si ka ndodhë ky rast i rëndë ende nuk dihen. Rasti për momentin është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet e mëtejme janë duke i udhëheq Policia e Kosovës njësitet e hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorin e shtetit”, tha Hashani për Klankosova.tv