Vazhdojnë sukseset e filmit ‘Babai’

    Filmi “Babai” me skenar dhe regji nga Visar Morina në edicionin e 50-të të festivalit ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary triumfoi me 2 çmime.

    Në ngjarjen më të rëndësishme të filmit në Europën Qendrore dhe Lindore,në ceremoninë e ndarjes së çmimeve,ky film fitoi çmimin për regjinë më të mirë si dhe çmimin Europa Cinemas Label që ndahet nga Europa Cinemas Network.

    Me dy premiera brenda një jave, atë gjermane dhe botërore, ‘Babai’ ka rrëmbyer deri tani 6 çmime. Ky film fitoi 4 çmime në festivalin e madh Filmfest Munchen ndërsa tani i erdhi radha fitores në Karlovy Vary në njërin ndër festivalet më të vjetra dhe më të mëdha në botë.

    Visar Morina triumfoi përkrah regjisorëve të njohur në konkurrencën zyrtare si Florin Serban,Anca Damian, Peter Brunner duke marr çmimin për regjinë më të mirë ku me këtë rast triumfoi edhe kinematografia kosovare.

    Ky film shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (AstritKabashi) në Kosovën e vite ve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

    “Babai” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE dhe është prodhimi Niko Film, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë.