Vazhdojnë protestat për të katërtën ditë në SHBA për vdekjen e afro-amerikanit gjatë arrestimit të tij

Demonstruesit të premten u mblodhën nëpër qytete të ndryshme të SHBA-së për ditën e katërt për të protestuar kundër vdekjes së afro-amerikanit të paarmatosur, i cili vdiq gjatë arrestimit të tij nga një polic i bardhë në Minneapolis të Minesotas, raporton Anadolu Agency (AA).

Që nga e hëna kur Geroge Floyd vdiq pasi oficeri Derek Chauvin e shtriu për toke dhe ia vuri gjurin në qafë gjatë arrestimit për më shumë se tetë minuta, kanë shpërthyer protesta në Minneapolis.

Megjithatë, policia u përlesh me protestuesit edhe në Los Angeles dhe New York City, mes qyteteve të tjera.

Përkundër protestave paqësore, disa dyqane u dëmtuan nga plaçkitjet, zjarrvëniet dhe përleshjet me policinë. Protestat u zhvilluan gjithashtu në Boston, Massachusetts dhe Memphis, Tenesi, Louisville, Kentucky, Detroit, Michigan dhe Houston, Teksas.

Protestat e reja shpërthyen disa orë pasi Chauvin u akuzua për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim, sipas Prokurorit të Qarkut Hennepin, Michael Freeman, në Minneapolis.

Protestuesit po kërkojnë arrestimin e tre oficerëve të tjerë të policisë të shfaqur në pamjet video të kapura në vendin e ngjarjes kur Floyd u arrestua, dhe të dënohen së bashku me Chauvin.

Të premten vonë, protestuesit u mblodhën në Minneapolis përkundër ndalesës së lëvizjes që u imponua nga kryetari i bashkisë Jacob Frey me shpresën për të shuar protestat e dhunshme. Frey të martën shkarkoi të katër oficerët.

Më herët gjatë ditës, një grup protestuesish u nisën drejt Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin e vendit, ku u përballën me një përgjigje të policisë dhe me disa përleshje me anëtarët e shërbimit sekret.

Në Atlanta, protestuesit e Georgia-s dogjën një makinë policie dhe thyen xhamat e portës së përparme të selisë së CNN, sipas videove të qarkulluara në mediat sociale.

Një faqe e lajmeve në internet në Kansas City tha se gati 300 njerëz u mblodhën pranë Country Club Plaza për të protestuar. Sipas autoritetve lokale, protersta u përshkrua si paqësore.

Gjithashtu edhe në Denver, Colorado, Chicago, Illinois dhe Oakland, California mbajtën protesta.

Gjithkund ku protestohej, demostruesit mbanin banderolat ku shkruhej “Jeta e të zinjëve është e rëndësishme”, dhe brohorisnin “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!” gjatë marshimit.

Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën pasi thuhet se u përpoq të përdorte një banknotë të falsifikuar 20-dollarëshe në një dyqan lokal.

Videoja e publikuar në Facebook e tregon atë të prangosur dhe bashkëpunues.

Megjithatë, policia pretendoi se ai i rezistoi arrestimit. Oficeri Chauvin ia vuri gjurin në qafë, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd: “Nuk mund të marr frymë”.

Pas pak, Floyd duket se si humb vetëdijen, por oficeri vazhdon të mbaj qëndrimin ndaj viktimës.

Ai vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.

Më parë, presidenti Donald Trump tha se ai ka folur me familjen Floyd dhe u shprehu “ngushëllimet më të thella të kombit tonë dhe simpatitë më të përzemërta familjes së George Floyd”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com