Më shumë se 9500 persona humbën jetën nga koronaviorusi në ditën e parë të vitit të ri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten vendi me situatën më të vështirë, teksa kanë tejkaluar shifrën e 20 milionë personave të infektuar dhe 356 mijë viktimave, 2100 prej tyre vetëm në 24 orët e fundit.

Në SHBA deri më tani, pothuajse 2,8 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërkohë që Florida është bërë shteti i fundit amerikan që ka raportuar për variantin e ri të virusit, që fillimisht u identifikua në Britani.

Varianti i ri tashmë është konfirmuar në 33 shtete të botës dhe ka rritur shqetësimet se do të vazhdojë të përhapet edhe në shtete të tjera.

Në Europë, Britania e Madhe po përjeton një valë të re infektimesh, teksa në 24 orët e fundit regjistroi mbi 53 mijë raste, shifra e dytë më e lartë e regjistruar në këtë vend që nga nisja e pandemisë.

Rritja e rasteve me koronavirus në Britani i adresohet në shumicën e tyre variantit të ri të virusit. Për shkak të rritjes së rasteve, Britania më 1 Janar mbylli edhe shkollat fillore.

Një tjetër vend europian ku kurba e infektimeve po pëson sërish rritje është Italia, e cila raportoi për 22 mijë raste të reja, shifra e dytë më e lartë në Europë për këtë 24 orësh.

Në Francë masat e marra javët e fundit kanë dhënë rezultat në rënien e numrit të viktimave, të cilat kanë pësuar sërish ulje, por jo në numrin e infektimeve. Edhe ky vend po përjeton një valë të re rastesh të reja, pasi së fundmi raportoi për 19 mijë infektime.

Gjermania pas rekordit që vendosi më 29 Dhjetor me mbi 1200 viktima, për të disatën ditë me radhë ka shënuar rënie të jetëve të humbura. Autoritetet gjermane raportuan se në 24 orët e fundit humbën jetën afro 200 persona.