Valbona hap dyert për turistët

Ditët e Valbonës, kështu u emërtua hapja e sezonit turistik në Tropojë. Aktivitetet nisën në qendër të Bajram Currit dhe u zhvendosën në zonën turistike të Valbonës. Në aktivitetin “Tropoja Turistike”, pati një sërë aktivitetesh të cilat startuan tek Muzeu i qytetit në Bajram Currit, me hapjen e zyrës së turizmit dhe ekspozitës fotografike të Tropojës, për të vazhduar më tej me panaire dhe aktivitete të tjera festive në Valbonë.

Pamjet e jashtëzakonshme të zonës u gërshetuan me traditën. Kryetari i Bashkisë Tropojë, Besnik Dushaj, i ka ftuar vizitorët dhe turistët drejt Malësisë së Gjakovës, si një atraksion që duhet eksploruar. Ashtu edhe ky grup vizitorësh me rastin e hapjes së sezonit u mrekullua. Kurse numri i të huajve që ngjitet në këtë lartësi është në rritje.

Në aktivitetin “Tropoja Turistike” dhe ceremoninë e organizuar në Valbonë kryetari i bashkisë së Tropojës Dushaj tha: ”Përtej kënaqësive që na krijojnë këto vende, ky gjelbërim dhe njerëzit optimist, unë dua të theksoj faktin se turizmi në kuptimin e gjerë të fjalës është në hapat e parë. Dhe mendoj se do të duhet shume punë që njerëzit të kuptojnë se turizmi është pothuajse aseti kryesor, që do të sjellë zhvillim në Tropojë.”

Gjithashtu ai në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë e shtetit për  t’i ndihmuar bizneset në Tropojë dhe zhvillimin e turizmit. “Nuk mund të ketë turizëm të nivelit të kërkuar dhe me leverdi ekonomike, pa resurse njerëzore, ekonomike, infrastrukture të pranueshme dhe ndihmë nga shteti. Dhe kjo ndihmë mendoj se duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve, apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë, ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhe të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë.” /standard

- Advertisement -

MË TË FUNDIT