Pothuajse 20 vjet më parë, Panta Petroviqi zbatoi distancë sociale duke bërë një zgjedhje më ndryshe, kur u vendos në një shpellë të vogël në malet serbe për t’i shmangur njerëzit.

Vitin e kaluar, në njërën nga vizitat e tij në qytet, burri me mjekër të gjatë dëgjoi se është përhapur një pandemi. Pasi vaksinat kundër Covid-19 u bënë të qasshme, ai u vaksinua dhe u bën thirrje të gjithëve që të veprojnë njësoj.

“Ai (virusi) nuk zgjedh. Do të vijë edhe këtu, në shpellën time”, thotë plaku 70-vjeçar për agjencinë AFP në shpellën që ndodhet në malin Stara Planina, në jug të Serbisë.

Petroviqi e ka prejardhjen nga qyteza Pirot, ku kishte punuar në tregun e zi. Për një kohë, ai kishte punuar edhe jashtë shtetit. U martua disa herë në jetën e tij, të cilën e cilëson si “të vrullshme”.

Duke qenë gjithmonë i dhënë pas natyrës, ai gradualisht zbuloi se izolimi nga shoqëria i sillte liri që nuk e kishte shijuar më parë, transmeton Gazeta Express.
“Nuk isha i lirë në qytet. Gjithmonë të del dikush në rrugë – ose grindesh me bashkëshorten, ose me fqinjët, ose me policinë”, thotë Panta përderisa qëron perime për drekë. “Këtu askush nuk më bezdis”, shton ai me një buzëqeshje, duke shfaqur dhëmbët e prishur.

I moshuari ushqehet kryesisht me kërpudha dhe peshq që i zë në një përrua të afërt, por nganjëherë zbret në qytet për të kërkuar ushqim që është lënë nga të tjerët në shporta.

“Paraja është e mallkuar, ajo i prish njerëzit. Mendoj se asgjë s’mund ta korruptojë njeriun si paraja”, tha në fund Petroviqi.