Urimi i veçantë i presidentit të KF Feronikelit

 

Presidenti i klubit z. Ekrem Elshani, me rastin e shpalljes së “KF Feronikelit” Kampion i Kosovës për vitin 2016, uron të gjithë ata që ndihmuan në këtë sukses.

Deklarata e plotë e Presidentit të klubit, z.Elshani: Dua të uroj për bashkëpunim, punën dhe përkushtimin e madh në ngritjen e KF Feronikelit si klub, anëtaret e Bordit , shtabin teknik për punën profesionale dhe për angazhimin maksimal deri te suksesi i arritur, lojtarët për përkushtim dhe lojëra të mira që na kurorëzuan me suksesin e madh prej Kampioni të Kosovës.

Një falenderim i kushtohet poashtu tifo-grupit “Tigrat e Zi” që qenë lojtari i 12-të i skuadrës, si dhe të gjithë qytetarëve të Drenasit, që përkrahën klubin drejt suksesit. Klubi i Feronikelit vërtet është angazhuar shumë për t’u ngritur në nivelin që jemi sot. Nëse kthehemi dhe shikojmë se ku kemi qenë disa vjet me parë dhe ku jemi sot, e kuptojmë që është një e arritur e madhe dhe sukses i padiskutueshëm për klubin e Feronikelit.

Bërja Kampion i Kosovës për herë të dytë radhazi tregon seriozitet në planin afatgjatë që e kemi para vetes. Sigurisht kjo nuk është pak. Tani që Federata e Futbollit tonë është pjesë e UEFA-së, ne si klub do të mendojmë edhe për suksese të tjera jashtë Kosovës. Siç dihet, ne do të jemi të parët si klub nga Kosova që përfaqësojmë futbollin kosovar në Europë dhe këtë do të mundohemi që ta bëjmë në mënyrën më të mirë.

Gjithashtu, dua të falenderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për organizimin e mirë të kampionatit dhe punën e madhe që bënë deri te pranimi i FFK-së në UEFA. Një falenderim të veçantë përcjellim për 11 skuadrat e tjera konkurruese në Raiffeisen Superligën e Kosovës për pritje dhe lojë korrekte.

Gjithashtu, për ndihmën e madhe e falenderojmë Kuvendin Komunal të Drenasit dhe kryetarin e komunës. z.Nexhat Demakun. Falenderoj gjyqtarët për gjykim të mirë! Falenderoj gazetarët sportivë dhe mediumet që përkrahën sportin dhe pasqyruan ngjarjet në mënyrë të drejtë! Falenderoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për sigurinë e ofruar në çdo ndeshje si brenda dhe jashtë Drenasit!

Me respekt, Presidenti i KF Feronikelit, Ekrem Elshani

- Advertisement -

MË TË FUNDIT