Pala kosovare gjatë takimit me ekipin e përfaqësueses së Bashkimit Evropian (BE), Frederica Mogherini, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ua ka bërë me dije se nuk do të ketë hapje të temave të reja pa u zhbllokuar ura e Ibrit, zbatimi i marrëveshjes së Drejtësisë dhe shuarja e plotë e të ashtuquajturës mbrojtje civile në veriun e Mitrovicës.
Nuk do të ketë tema të reja në bisedimet Kosovë Serbi, pa u zhbllokuar Ura mbi lumin Ibër, shuarja e plotë e të ashtuquajturës mbrojtje civile, që operon në veriun e Mitrovicës si dhe implementimi i plotë i marrëveshjes për drejtësinë e arritur më 9 shkurt në Bruksel.
Këtë e konfirmon për RTK-në këshilltari për punë të jashtme i kryeministrit, Isa Mustafa, Valon Murtezaj.
“Qëndrimi i palës kosovare ka qenë shumë i qartë nuk ka sens të vazhdohet më tutje për të hapur tema të reja pa pasur zbatim të marrëveshjeve të arritura. Në këtë kuadër janë tri tema që duhet zbatuar nga ana e Serbisë si, zbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, hapja e urës së Ibrit, dhe shuarja e Mbrojtjes civile”, ka thënë Murtezaj.
Ai ka shtuar se me Serbinë asnjëherë nuk do të diskutojnë për pasuritë që ka Kosova.
“Asnjëherë nuk është diskutuar për Ujmanin as për asnjë pasuri tjetër të Kosovës. Ne ju sigurojmë se me askënd nuk do të diskutojmë për pasuritë e Kosovës”, ka theksuar ai.
Murtezaj ka thënë se gjatë qëndrimit të delegacionit të Kosovës në Bruksel kanë zhvilluar takime edhe me deputetë të ndryshëm në Parlamentin Evropian me të cilët kanë diskutuar rreth dialogut dhe situatës politike në vend.