Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka dërguar një mesazh urimi homologut rus me rastin e Festës Kombëtare të Rusisë, shkëmbimi i parë zyrtar i këtij niveli pas disa muaj tensionesh mes tyre.
“Konfirmojmë se presidenti Erdogan i ka dërguar një letër urimi presidentit rus, Vladimir Putin me rastin e Festës Kombëtare të Rusisë që u përkujtua më 12 qershor”, bëri të ditur për median një zyrtar i presidencës turke.
Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Ankarasë dhe Moskës janë përkeqësuar ndjeshëm në muajin nëntor pas rrëzimit të një avioni bombardues rus nga ana e aviacionit turk në hapësirën e kufirit sirian, një akt i justifikuar sipas Turqisë për shkelje të paligjshme të hapësirës së saj ajrore.
Rusia më pas dekretoi një valë sanksionesh ekonomike kundër Ankarasë zyrtare duke u bërë thirrje shtetasve të saj të mos ndërmarrin udhëtime turistike në këtë vend.