U inaugurua Kompleksi Memorial “Baza e parë e UÇK-së”

Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dje u inaugurua Kompleksi Memorial “Baza e parë e UÇK-së”, në fshatin Lladoc të Podujevës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për veprimtarinë heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe Iliri Konushevcit.
Në inaugurimin e këtij Kompleksi Memorial, të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për Kosovën.
“Veprimtaria dhe rënia heroike e Zahirit, Hakifit, Edmondit, Ilirit dhe e të gjithë të rënëve të tjerë në altarin e shenjtë të lirisë së atdheut, ridëshmoi përpara botës se shqiptarët e Kosovës i ngjajnë feniksit që ringrihet nga hiri i vet dhe nuk ligështohet asnjëherë, madje as atëherë kur të tjerët mendojnë se tashmë i kanë nënshtruar”, tha ministri.
Ministri Abrashi, tha po ashtu se në këtë ditë të veçantë nderohet familja e Hakif Zejnullahut, e cila u dha strehë, bukë, kripë e zemër luftëtarëve të lirisë, pjesëtarëve të parë të UÇK-së në këto anë.
“Pikërisht në këtë shtëpi, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarët e tyre më të ngushtë, i planifikonin të gjitha aksionet e UÇK-së, pas të cilave sërish ktheheshin këtu, në vatrën e tyre më të sigurt”, tha ministri Abrashi.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT