Turqi, Të paktën 20 të vdekur dhe 100 të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm

    Një atentat me bombë goditi sot qendrën e Ankarasë, kryeqytetin e Turqisë.

    Sipas informacioneve të para, ky atentat i shkaktuar nga një kamikaz ka shkaktuar të paktën 20 të vdekur dhe qindra të plagosur. Por sipas agjencisë së lajmeve Dogan, ky bilanc pritet të rëndohet.

    ”Të paktën 20 persona humbën jetën sot në mëngjes pas një shpërthimi të fuqishëm, pranë stacionit kryesor hekurudhor të Ankarasë, para një manifestimi të opozitës turke në mbështetje të paqes”, njoftoi media turke.

    Dëshmitarët e pyetur theksuan se kishin parë disa trupa të pajetë, ndërkohë që televizioni NTV njoftoi për të paktën 20 të vdekur.

    Një manifestim në mbështetje të paqes ishte thirrur në vendin e shpërthimit nga disa lëvizje të majta, ndërkohë që luftimet kanë nisur që prej muajit korrik mes ushtrisë turke dhe rebelëve kurdë të PKK-së pas një armëpushimi dy vjeçar.

    Ndërkohë shkak i këtij shpërthimi dyshohet se është një sulm kamikaz. Sipas informacioneve theksohet se edhe godina e stacionit të trenit ka pësuar dëmtime serioze./ata/